Udhëheqësi i Libisë Muammar Gaddafi duhet të japë dorëheqjen nga pushteti, por gjatë kësaj nuk është i detyruar të largohet medoemos nga vendi. Një deklaratë e tillë u bë nga Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe Wiliam Hague në prag të takimit me homologun e tij francez Alain Juppe.

Më parë Wiliam Hague shprehej në mënyrë shumë më të prerë duke theksuar se për Gaddafin nuk mund të ketë, në përgjithësi, vend në të ardhmen e Libisë. Parisi e mbështet pozitën e Londrës, por njëkohësisht ai po shpreh pakënaqësi në rritje për shkak të mungesës së sukseseve ushtarake. Koalicioni i vendeve perëndimore filloi bombardimin e Libisë në mars të këtij viti me qëllim të vendosjes së zonës së ndaluar për fluturime mbi këtë vend. Ndërsa në të vërtetë operacioni ushtarak u shndërrua në mbështetje të opozitës, e cila synon të rrëzojë me forcë regjimin e Kolonel Gaddafit. Ky qëllim nuk u arrit deri tani. Duke parë se situata po hyn gjithnjë e më thellë në qorrsokak Perëndimi e zbuti disi retorikën e vet duke lënë të kuptohet me këtë mundësinë e daljes nga kriza me anë të rrugës së negociatave të kryengritësve me Tripolin.

Me sa duket nga të gjitha për këtë është i prirur edhe Këshilli Kombëtar Kalimtar opozitar i Libisë. Mbi perspektivat e zgjidhjes së krizës në Libi u shpreh eksperti i Institutit rus të Studimeve Strategjike Azhdar Kurtov:

- Rruga e negociatave është mënyra më optimale e daljes nga situata e qorrsokakut që vazhdon të mbizotërojë deri tani në këtë vend. Pikërisht negociatave me pjesëmarrjen e të gjitha palëve të interesuara, ndër të tjera edhe atyre që mbështesin regjimin në pushtet - pra Kolonel Gaddafin. Opozita do të përpiqet të zvarrisë kohën e fillimit të tyre duke shpresuar në përfitimin e lëshimeve serioze nga ana e mbështetësve të Gaddafit. Prandaj nuk mund të pritet arritje në mënyrë të shpejtë në marrëveshje. Rusia do të jetë një prej ndërmjetësueseve në negociatat në fjalë. Në qoftë se do të arrihet në marrëveshje, atëhere, sigurisht, kjo do të jetë në favor të politikës së jashtme të Rusisë.

0Situata rreth Libisë është tema kryesore e bisedimeve të ditës së martë në Romë të Përfaqësuesit Special të presidentit rus për Afrikën Mihaill (Mikhail) Margellov dhe Ministrit të Jashtëm të Italisë Franco Frattini. Moska dhe Roma në shumë gjëra kanë vizione të ngjashme përkatësisht rrugëve të zgjidhjes së problemit libian. Si një pikë referimi në këtë kuptim mund të quhet deklarata e Ministrit të Jashtëm italian Frattini në lidhje me fatin e mundshëm të Muammar Gaddafit. Në takimin me Përfaqësuesin e opozitës libiane Ali al-Isawi ai deklaroi mbi pëlqimin e vet për të pranuar çdo vendim të popullit për këtë çështje. Nuk përjashtohet edhe mundësia e asaj, që në këtë sfond bisedimet Margellov-Frattini në Romë të vërehen si dialog i drejtpërdrejtë NATO-Rusi për zhbllokimin e situatës rreth Libisë.

Vladimir Fedoruk