Anija “Bullgaria”, operacioni për ngritjen e së cilës nga fundi i lumit Vollga filloi të premten (më 22 korrik), u duk tashmë pjesërisht në sipërfaqen e ujit.

Anija me motor diesel me dy kuverta “Bullgaria”, e ndërtuar në vitin 1955 në Çekosllovaki, u fundos më 10 korrik gjatë një stuhie të fuqishme në ujërat e rezervuarit Kuibishev. Tragjedia ndodhi në territorin e Republikës së Tartarstanit, 3 kilometra larg bregut. Anija turistike po lundronte sipas itinerarit nga qyteti Bollgar për në Kazan (kryeqyteti i Tartarstanit). Sipas të dhënave të saktësuara, në bordin e anijes në momentin e fundosjes së saj ndodheshin 201 veta. Viktima të tragjedisë u bënë 114 pasagjerë, u arrit të shpëtohen 79 persona. 8 veta janë të listuar si të humbur pa lënë gjurmë. Rrethanat e katastrofës po hetohen. Dëshmitarët okularë thonë se anija doli nga porti dhe filloi lundrimin jo në drejtpeshim, por me anim nga bordi i dhjathtë. Ndërsa mund ta ketë përmbysur atë ndonjë dallgë e fuqishme anësore.

Gjatë gjithë ditës së enjte u zhvilluan punët përgatitore për ngritjen e anijes së fundosur nga thellësia 20 metra. Të premten në mëngjes filloi operacioni për ngritjen e saj në sipërfaqe. Në mesditë doli nga uji pjesa e sipërme e anijes. Ja se ç’njoftoi për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” nga vendngjarja me telefon Përfaqësuesi i shtabit operacional për ngritjen e “Bullgaria” Timur Khikmatov:

- Aktualisht në sipërfaqen e ujit u dukën plotësisht elementet e konstruksionit të kuvertës së sipërme të pjesës së përparme të anijes “Bullgaria”. Kanë dalë tashmë plotësisht mbi ujë kabina e kapitenit, direkët, antenat dhe vinçat e ngarkesave. Së shpejti do të fillojë ngritja e pjesës së pasme të anijes. Detyra jonë është tani që të ngremë në sipërfaqen e ujit nga 1 deri në 2 metra pjesën e sipërme të “Bullgaria”. Pas kësaj do të fillojë puna për hermetizimin e saj. Më tej do të bëhet pompimi i ujit nga ambjentet e brendshme të anijes.

Nëse gjithçka do të shkojë sipas planit, atëhere ky pompim i ujit do të lejojë rivendosjen e aftësisë anijes për lundrim dhe do të fillojë më tej tërheqja e saj me rimorkiator drejt kantierit të riparimit të anijeve.

0Atje ekspertët do ta inspektojnë me kujdes atë me qëllim të përcaktimit të shkakut të vërtetë të fundosjes së saj.

Aleksei Çerniçenko