Ndaj mundësive për të shfrytëzuar sistemin satelitor rus të navigacionit (GLONASS) shfaqi një interes mjaft të gjallë Agjencia Hapësinore Britanike.

Kjo Agjenci nënshkroi tashmë marrëveshjen e bashkëpunimit me Korporatën Kozmike të Rusisë “Roskozmos”. Ajo parashikon, ndër të tjera, prodhimin e çipeve (chips) elektronike, me ndihmën e të cilave përdoruesi mund të marrë në çdo pikë të planetit që të ndodhet informacionin e nevojshëm njëherazi nga tre sistemet e navigacionit: GPS amerikan, sistemi në krijim e sipër evropian “Galileo” dhe GLONASS. Gjatë kësaj përdoruesi nuk do të ketë nevojë për të patur tri pajisje të ndryshme për këtë qëllim.

Po diskutohet mundësia e vendosjes së stacioneve të navigacionit GLONASS në territorin e Britanisë së Madhe. Sistemi rus u bë mjaft atraktiv për Agjencinë britanike edhe si platformë perspektive për zhvillime të përbashkëta dhe aplikimin e teknologjive të reja. Vetë nënshkrimi i dokumentit mbi bashkëpunimin me partnerët rusë është njohje e aftësisë konkurruese të sistemit rus, deklaroi Shefja e Departamentit për strategjinë dhe bashkëpunimin e Agjencisë Hapësinore Britanike Emma Lord.

GLONASS ka perspektiva shumë të mira në tregjet e huaja, deklaroi në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Drejtuesi i projektit Arktik-GLONASS Vladimir Çukov. Ai ka marrë pjesë personalisht në vënien në shfrytëzim të këtij sistemi në kushtet ekstreme të Polit të Veriut: “- Interesi i shfaqur nga ana e Mbretërisë së Bashkuar nuk është i ashtu krejt i rastësishëm, sepse në sistemin tonë është projektuar apriori mundësia e bashkëveprimit të tij me sisteme të tjera navigacioni. Britanisë së Madhe sistemi ynë i nevojitet me qëllim që ajo të mos merret, si i thonë fjalës, me shpikjen e biçikletës. Përvoja ime personale e përdorimit të sistemeve GPS, Galileo, GLONASS tregon se mundësia e shfrytëzimit të këtyre sistemeve njëkohësisht rrit në mënyrë të ndjeshme sigurinë në kushte ekstreme. Kjo është tejet e rëndësishme për garantimin e sigurisë. Unë, si udhëtar me përvojë të madhe, e di këtë jo me të dëgjuar”, - tha Vladimir Çukov.

0Jo shumë kohë më parë filloi të përdorë shërbimet e sistemit rus GLONASS Kompania suedeze “Swepos”. Ajo ofron shërbime navigative në regjim kohe reale me një saktësi prej më pak se një metër, gjë kjo që është shumë e kërkuar në ndërtim, topografi (gjeodezi), bujqësi. Por, sipas mendimit të suedezëve, në gjerësitë gjeografike veriore GLONASS punon më mirë se GPS. Ata vlerësuan sipas meritës vetë faktin se orbitat e satelitëve të sistemit rus ndodhen më lart, që do të thotë se “nga lartësia më e madhe ata shohin” më mirë se amerikanët. Këto ditë Kreu i Agjencisë Federale Kozmike të Rusisë “Roskozmos” Vladimir Popovkin deklaroi: planifikohet çertifikimi i GLONASS-it nga të gjitha organizatat ndërkombëtare. Kjo është e domosdoshme që ai të mund të avancojë në mënyrë më aktive në tregun botëror. Vladimir Popovkin deklaroi gjithashtu se këtë vit grupimi orbital i sistemit GLONASS do të kompletohet plotësisht. Kjo do të sigurojë qëndrueshmërinë e marrjes (kapjes) së sinjalit kudo në botë.

Konstantin Garibov