Kancelarja e RFGJ Angela Merkel dhe Presidenti francez Nicolas Sarkozy bashkërenditën planin e shpëtimit të Greqisë. Atë do ta parashtrojnë në samitin e jashtëzakonshëm të ditës së enjte, 21 korrik, të Bashkimit Evropian në Bruksel. Sipas njoftimeve të gazetës britanike “The Financial Times”, gjatë 2 viteve të ardhshme Bashkimi Evropian dhe FMN mund ti paguajnë Greqisë një kredi prej 71 miliardë euro. Edhe rreth 50 miliardë të tjera ky vend planifikon ti marrë për llogari të reformimit të sektorit bankar.

Në vigjilje të samitit po ai botim “The Financial Times” publikoi informacionin se në paketën e masave për shpëtimin e Greqisë do të përfshihet edhe njëfarë takse për bankat evropiane. Vendime të tilla janë dëshmi e gjallë e asaj se autoritetet e BE janë në krizë të thellë idesh, mendon eksperti financier rus Denis Barabanov: “- Tatimi mbi bankat, i cili kihet ndërmend të aplikohet, apo bile dhe taksa mbi qytetarët - meqenëse mund të bëhet edhe një propozim i tillë - tregon qartë se autoritetet e BE praktikisht nuk kanë tashmë variante për mbështetjen e Greqisë. Ky vendim krijon një precedent tejet të rrezikshëm. Sepse, ndoshta, ka shumë mundësi që të lindë nevoja për të shpëtuar jo vetëm Greqinë, por edhe vende të tjera. Ndërsa kjo do të kërkojë atëhere shuma krejtësisht të tjera financiare. E megjithatë, rrugëdalja më e mirë do të ishte avancimi i qetë, gradual drejt default-it të Greqisë. Unë nuk mendoj se kjo nuk do të jetë një gjë dhe aq e tmershme, siç e përfytyrojnë tani atë politikanët e Europës”, - tha Denis Barabanov.

Ideja e defaul-it, edhe pse të pjesshëm, ka gjetur megjithatë përkrahje në kuadër të Bankës Qendrore Evropiane. Një tjetër opsion është shfrytëzimi i Fondit Evropian për stabilizimin financiar, vë në dukje më tej Denis Barabanov: “- Mund të merret edhe vendimi që Fondi Evropian për stabilizimin financiar të shpenzohet, ndër të tjera, edhe për blerjen e bonove të Greqisë nga tregu dytësor (sekondar). Ky vendim mund të zbatohet menjëherë. Ndërsa çështja që ka të bëjë me dhënien Greqisë të 100 miliardë euro, mendoj se nuk do të arrijë të bashkërenditet”, - konkludoi Denis Barabanov.

Nuk duhen pritur nga samiti i sotëm edhe vendime në lidhje me problemin e krizës financiare pan-evropiane. Për këtë paralajmëroi në vigjilje Angela Merkel.

Situata aktuale është e mbarsur jo vetëm me rrezikun e kolapsit të mundshëm të sistemit monetar, por dhe gjithë projektit evropian - deklarojnë me pesimizëm ekspertët. Sepse të gjitha ato që u krijuan me përpjekje politike, shpesh herë në dëm (kurriz) të ligjeve ekonomike, duhen shpëtuar po me metoda të tilla - politike. Por tani autoriteteve të BE-së u mungon vullneti politik, deklaroi në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Profesor Hans-Henning Schröder, Drejtuesi i projektit studimor të Fondit gjerman të Shkencës dhe Politikës: “- Sigurisht, i gjithë faji bie mbi politikanët që morrën vendimin për vënien e euros në qarkullim. Paralelisht me sistemin e monedhës unike duhej miratuar domosdoshmërisht edhe koncepti i politikës së vetme financiare. Ndërsa aktualisht tablloja paraqitet e tillë: ekzistenca e politikave financiare kombëtare me qarkullimin e një monedhe unike. Ekonomistët patën paralajmëruar që atëhere se kjo është punë pa bereqet. Merkel, Sarkozy, Berlusconi nuk marrin vesh fort nga ekonomia dhe prandaj nuk vepruan në kohën e duhur”, - thotë Profesor Hans-Henning Schröder.

0Por, me sa duket nga të gjitha, Kancelarja Merkel, e cila, në fakt, tani është e vetmja përgjegjëse për shpëtimin e zonës së euros, është e mbushur plot vendosmëri. Në prag ajo deklaroi se “detyra historike konsiston tani në mbrojtjen e euros”. Samiti i sotëm duhet të përfundojë periudhën e përsiatjeve dhe ti hapë rrugën veprimeve konkrete.

Polina Çernica