Me sa duket nga të gjitha ky vit po përgatitet të sfidojë vitin e kaluar, i cili hyri në histori si rekordmen absolut përkatësisht fatkeqësive natyrore.

Këtë javë u vendos në mënyrë të qëndrueshme në zonën qendrore të Rusisë një vapë e madhe. Temperatura arrin deri në 37 gradë. Vapa e tanishme theu rekordin në Jakuti (Yakuti) - në zonën e akullnajave të përjetshme - 38,4 gradë. Ndërkohë që po bën akoma dhe më nxehtë - nën 40 gradë - në 23 shtete qendrore dhe lindore të SHBA. Dhe kjo vapë po vjen duke u intensifikuar dhe kërcënon të përfshijë Uashingtonin dhe Nju Jorkun. I nxehti i madh do të ndikojë edhe në zonën juglindore të Kanadasë, ku dita është jashtëzakonisht e nxehtë - mbi 40 gradë. Temperaturat ekstreme në SHBA komplikohen edhe nga lagështira e madhe. Përveç kësaj, disa shtete ndodhen nën ndikimin e stuhive të fuqishme që krijojnë situatë të rrezikshme për shëndetin e njerëzve.

Kurse në lindje dhe në jug të Kinës, nga përmbytjet katastrofike dhe shkarjet e dheut, të shkaktuara prej stuhive dhe shirave të rrëmbyeshëm, kanë gjetur vdekjen ose kanë humbur pa lënë gjurmë që nga fillimi i qershorit pothuajse 500 veta. Rreth 3 milionë banorë janë evakuuar nga zonat e fatkeqësisë natyrore. Fundjavën e kaluar moti i keq faktikisht paralizoi punën e një prej aeroporteve më të mëdha në botë në Pekin.

Në këtë periudhë shirat dhe përmbytjet në Kinë nuk janë ndonjë dukuri e rrallë, por shkalla dhe intensiteti i tyre këto vitet e fundit kanë arritur përmasa të papara. Ky vit po thyen rekorde edhe përkatësisht ndryshimeve ekstreme të motit. Thatësira e pranverës së këtij viti konsiderohet si më e tmerrshmja për gjysmën e fundit të shekullit të kaluar. Bile që në atë kohë meteorologët  parashikuan se ajo mund të zëvendësohet nga shirat e rrëmbyeshëm e të vazhdueshëm. Ndërkohë, duhet thënë, se edhe parashikimet e ardhshme nuk janë aspak ngushëlluese: sinoptikët paralajmërojnë mbi tajfune të reja destruktive.

Tajfuni i 6-të - më i fuqishmi për këtë sezon - “Ma-on” tashmë për të dytën ditë me radhë ka përfshirë rajonet jugore të Japonisë. Në Brazil viktima të përmbytjeve, të shkaktuara prej shirave të rrëmbyeshëm në zonat zakonisht të thata verilindore të vendit, u bënë 10 veta, më shumë se 13 mijë banorë të tjerë mbetën pa strehë mbi kokë. Situata komplikohet edhe nga fakti se ky rajon i Brazilit nuk arriti të rimarrë ende plotësisht veten pas përmbytjeve të muajit maj.

0Një sërë ekspertësh i shpjegojnë shkaqet e fatkeqësive natyrore me ngrohjen globale. Zëvendës Drejtori i Qendrës Hidrometeorologjike të Rusisë Gennadi Eliseiev është i prirur të debatojë me ta në lidhje me këtë pikëpamje: “- Tani për tani ne i shpjegojmë të gjitha këto kataklizma me ndryshueshmërinë e natyrshme klimatike të proceseve fizike atmosferike. Disa shpjegime të tjera të tyre janë nga sfera e fantazisë. Ekzistojnë mendime se procesi i ngrohjes globale çon në rritjen e propabilitetit të përsëritjes së dukurive të tilla të rrezikshme si vapa, uraganet, tajfunet. Ndërkohë, nuk është bërë e mundshme të provohet në mënyrë të qartë, të njëkuptimshme deri tani lidhja e drejtpërdrejtë midis këtyre fenomeneve. Por, pavarësisht nga kjo, për të folur mbi katastrofë në natyrë unë thjesht nuk vërej kurrfarë arsyesh. Dhe aq më tepër se nuk ka arsye për të parashikuar katastrofë universale.

Konstantin Garibov