Barack Obama është i gatshëm ti bëjë lëshime Partisë Republikane për hir të shpëtimit të vendit nga falimentimi. Kompromisi i shumëpritur do të thotë: se tavani i borxhit shtetëror do të rritet, se nuk do të ketë default teknik dhe se 2 gushti do të pushojë së qeni moment kritik, pra deadline (afat i fundit). Marrëveshjet u arritën falë propozimit të “Gang of Six” (“Grupi i të Gjashtëve”), në të cilin hyjnë 3 senatorë demokratë dhe 3 republikanë.

Administrata presidenciale vendosi të aplikojë planin e rreptë të reduktimit të shpenzimeve shtetërore. Si rezultat, në dekadën e ardhshme deficiti buxhetor do të shkurtohet me rreth 4 trilionë $. Fjalë bëhet mbi reduktimin e shpenzimeve për shëndetësinë, sigurimet shoqërore dhe programin e ndihmës mjekësore falas (Medicare). Bile më tepër se kaq, Obama premtoi se në të ardhmen administrata do të monitorojë edhe të ashtuquajturat “shpenzime të specifikuara”, në të cilat përfshihet edhe mbrojtja.

Kjo e fundit nuk ka gjasa ti vijë për mide Pentagonit. Por, do s’do, atij do ti duhet të pajtohet me këtë realitet. Aq më tepër se pak më parë Zëvendës ministri amerikan i Mbrojtjes William Lynn përshkroi tabllonë më të zymtë të perspektivës për departamentin e vet. Sipas mendimit të tij, Pentagoni mund të humbasë mundësinë për të menaxhuar në mënyrë të pavarur mjetet financiare dhe të përfundojë në varësinë e Ministrisë së Financave.

Si përfundim, Armageddon duket se nuk do të ketë në SHBA. Në qoftë se gjithçka do të shkojë sipas planit, atëhere aty nga viti 2014 do të arrihet stabilizimi i nivelit të borxhit shtetëror. Megjithatë deri tani mbeten të panjohura detajet e këtij plani. Nuk dihet gjithashtu nëse janë vallë të gatshëm të gjithë republikanët për ta mbështetur këtë ide apo negociatat sërish do të zvarriten.

Dhe megjithëse aktualisht situata nuk paraqitet dhe aq kritike, borxhi kombëtar në rritje vazhdon të mbetet dhimbje e madhe koke për ekonominë amerikane., mendon Kreu i departamentit analitik të Deutsche Bank Jarosllav Lisovolik: “-  Ajo që po ndodh në SHBA me borxhin e tyre shtetëror dëmton, në radhë të parë, ekonominë amerikane, sepse çon në rritjen e normave të interesit dhe shtrenjtimin e huamarrjeve për amerikanët dhe kompanitë amerikane”, - thotë Jarosllav Lisovolik.

Ndërsa vetë “kryqëzimi i shpatave” midis republikanëve dhe demokratëve  është në disfavor të Amerikës, shton eksperti. “- Po lindin probleme branding-u  (imazhi). Për këtë flet tani vetë qeveria amerikane. Në qoftë se Amerika shpreson për ruajtjen e mëtejshme të dollarit në rolin e valutës botërore rezervë, atëhere kriza të tilla nuk duhet të përsëriten më në vend”.

0Ethet që kanë mbërthyer dhe mbajnë në tension gjithë tregjet financiare botërore po fillojnë të bien, por mbetet megjithatë një “shije e hidhur” nga ato. Ekspertët konstatojnë: besimi ndaj dollarit po vjen duke rënë gradualisht.

Anna Forostenko