Në Hannover të Gjermanisë të martën, më 19 korrik, po zhvillohet raundi i 13 i konsultimeve ndërshtetërore ruso-gjermane në nivelin më të lartë me pjesëmarrjen e Presidentit të Rusisë dhe Kancelares së RFGJ. Palët po diskutojnë problemet kyçe të zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike dypalëshe, situatën politike në botë si dhe gjendjen e shoqërisë civile në Rusi dhe Gjermani.

Mbi përmasat dhe cilësinë e bashkëpunimit ruso-gjerman flet ai fakt, se në konsultimet në Hannover marrin pjesë qindra politikanë të autoritetshëm rusë dhe gjermanë, biznesmenë, figura publike, përfaqësues të shkencës dhe kulturës.

Gjatë gjithë këtyre viteve të fundit marrëdhëniet e Rusisë dhe Gjermanisë janë dalluar për karakterin e tyre të qetë, pa probleme dhe reciprokisht të leverdisshëm, të dobishëm. Pikërisht terma të tillë përdoren edhe në Moskë, edhe në Berlin për vlerësimin e tyre. Prandaj autoritetet, biznesi dhe shoqëritë e dy vendeve ndodhen në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm.

Një nga temat kryesore të negociatave në Hannover është bashkëpunimi në sferën energjetike. Gjermania është një nga konsumatoret më të mëdha evropiane të lëndëve hidrokarbure ruse. Pas avarisë së tmerrshme që ndodhi në centralin bërthamor japonez “Fukushima-1” në mars të këtij viti, në Evropë gjithnjë e më shpesh po flitet mbi mundësinë e refuzimit të pjesshëm apo të plotë të përdorimit të energjisë bërthamore. Dhe Gjermania nuk bën përjashtim këtu. Me sa duket nga të gjitha, qeveria gjemane do të avancojë në drejtim të reduktimit të komponentit bërthamor në bilancin energjetik të vendit. Për kompensimin e “boshllëkut” që do të krijohet nga aplikimi në jetë i kësaj strategjie qeveria gjermane ka ndërmend të shfrytëzojë lëndët e para ruse. Për më tepër se vetëm pas 2 muajsh do të fillojë të funksionojë dega e parë e gazsjellësit “Nord Stream” (“Rryma Veriore”), i cili do të lidhë nëpër fundin e Detit Balltik Rusinë me BE.

Biznesi rus dhe gjerman do të zhvillojë partneritetin jo vetëm në mega-projekte të tilla. Për shembull, gjermanët planifikojnë të hapin në rajonin Kaluga (Rusia Qendrore) uzinën për prodhimin e gomave të makinave të brandit të famshëm në mbarë botën “Continental”. Kompanitë gjermane do të marrin pjesë aktivisht në modernizimin e rrjeteve elektrike ruse.

Një temë tjetër e rëndësishme e negociatave të Dimitri Medvediev dhe Angela Merkel është situata politike në botë. Është grumbulluar një numër i madh   problemesh: situata në Libi dhe në Siri, marrëdhëniet palestinezo-izraelite, “dosja bërthamore” e Iranit. Përveç kësaj, udhëheqësit e Rusisë dhe Gjermanisë do të shkëmbejnë mendime në lidhje me samitet e ardhshëm të “G-8” dhe “G-20”, hyrjen e Rusisë në OBT. Burimet në Kremlin konfirmojnë se Dimitri Medvediev ka ndërmend të diskutojë nismën e tij që ka të bëjë me Traktatin mbi sigurinë evropiane dhe perspektivën e bashkëpunimit të Rusisë dhe NATO-s në krijimin e sistemit të unifikuar të mbrojtjes antiraket në Evropë.

0Ndërsa në qoftë se do të abstragohemi nga politika dhe ekonomia, atëhere duhet thënë se mjeti më i mirë për afrimin e popujve të dy vendeve do të bëhet zhvillimi i viteve të ndërjelltë - Vitit të Rusisë në Gjermani dhe Vitit të Gjermanisë në Rusi.

Ilia Harllamov