Arabia Saudite i propozoi Rusisë krijimin e sipërmarrjes së përbashkët për eksportin e drithërave. Mbretëria, e cila planifikon që deri në vitin 2016 ta ndërpresë fare prodhimin e grurit në vend, ka ndërmend ta bëjë Rusinë një ndër furnizueset kryesore të drithërave në Lindjen e Mesme.

Aktualisht Rusia renditet midis furnizuesve kryesorë të drithërave të Arabisë Saudite, por, vërtet, vetëm të elbit. Për periudhën bujqësore të viteve 2009-2010 Rusia i shiti Mbretërisë 1.8 milionë ton të kësaj kulture. Por lloje të tjera drithërash praktikisht nuk eksportohen nga Rusia në Arabinë Saudite. Nënpresidenti i Bashkimit rus të Prodhuesve të Drithërave Aleksandër Korbut mendon se falë propozimit të bërë nga Arabia Saudite Rusia ka mundësi të zgjerojë tregun e saj të eksportit: “- Arabia Saudite - një nga blerëset më të mëdha botërore të drithërave - vëren tek Rusia partneren e vet strategjike. Por gjatë kësaj duhet marrë parasysh edhe fakti se ky shtet po pezullon prodhimin e të lashtave në territorin e vet. Thoni ç’të doni, por garantimi i lagështisë atje është në mënyrë të konsiderueshme më i keq se në zonën tonë gjeografike. Dhe Arabia Saudite deklaroi se është e interesuar për të kooperuar me Rusinë. I gjithë problemi konsiston në atë, nëse do të dimë ne të shfrytëzojmë mundësitë që po na krijohen për tu përforcuar në këtë treg dhe për të tërhequr investime. Për këto 3 vitet e fundit fonde të ndryshme kanë investuar në sektorin e bujqësisë më tepër se 10 miliardë $. Dhe prandaj ne tani na pret një luftë mjaft serioze për të siguruar hyrjen e këtyre parave midis të tjerash edhe në Rusi”, - tha Aleksandër Korbut.

0Propozimi i Arabisë Saudite përputhet plotësisht me planet e Rusisë, dhe pikërisht, që jo thjesht të rikthehet në tregun botëror të drithërave, por dhe të bëhet sërish lojtare aktive e tij. Pak më pak se një vit më parë për shkak të korrjeve jo të mbara në vend (prej thatësirës së paparë e verës së vitit 2010) u vendos ndalimi për eksportet e drithërave. Në fillim të korrikut të këtij viti embargo u hoq. Dhe vetëm për dy javët e para të muajit u eksportuan 770 mijë ton grurë, autoritetet doganore kanë marrë kërkesa për eksportin edhe të 6.5 milionë ton të tjera. Për vitin 2011, siç pritet, Rusia do të shesë jashtë shtetit 15 milionë ton drithëra.

Svetllana Andrejeva