Zgjedhjet presidenciale në Abkhazi do të zhvillohen mbi bazë alternative. Të dielën atje përfundoi paraqitja e kandidatëve. Për postin presidencial do të kandidojnë 3 persona.

Këta janë: Nënpresidenti aktual i Abkhazisë Aleksandër Ankvaba, Kryeministri Sergei Shamba dhe Lideri i partisë opozitare Raul Haxhimba (Khajimba). Zgjedhjet e jashtëzakonshme të Presidentit të Abkhazisë do të zhvillohen më 26 gusht. Ato po zhvillohen para kohe në lidhje me vdekjen në fund të majit të Presidentit Sergei Bagapsh. Si vëzhgues në to parlamenti i vendit ka ftuar përfaqësuesit e Rusisë, Kirgistanit, Armenisë, Azerbajxhanit, Ukrainës, Kazakistanit, Bjellorusisë si dhe Asamblesë Ndërparlamentare të EurAsEC.

Që nga dita e sotme starton fushata zgjedhore. Pretendentët tani do të publikojnë programet e tyre dhe vetëm pas kësaj mund të parashikohen shanset e këtij apo atij kandidati për në postin më të lartë.

Në qarqet politike ruse, natyrisht, ndjekin me vemendje të përqendruar këtë periudhë kaq të rëndësishme në jetën e shtetit fqinj. Ja se ç’deklaroi për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” Drejtuesja e aparatit të Komitetit për Punët e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (CIS) dhe Marrëdhëniet me bashkatdhetarët të Dumës Shtetërore të Rusisë Maria Llazutova: “- Për Rusinë Abkhazia është një vend mjaft i afërt, miqësor dhe shumë i kuptueshëm. Jo krejt rastësisht Moska ishte ndër të parat që njohu pavarësinë e saj. Duke u nisur nga kjo Rusia do të dëshironte ta shihte Abkhazinë një shtet stabil me ekonomi të fortë, me lidhje normale humanitare dhe, respektivisht, jo vetëm të pavarur si tani, por dhe shtet që do të njihet nga të gjitha vendet e tjera të reja”, - tha  Maria Llazutova.

Pas ngjarjeve të gushtit të vitit 2008 Abkhazia e pavarur u bë element i rëndësishëm i stabilitetit në rajon. Rusia e mbështet me të gjitha mënyrat këtë rol të saj - edhe politikisht, edhe duke bashkëvepruar me të në fusha të ndryshme. Tani, për shembull, zyrtarët rusë dhe abkhazianë po diskutojnë mundësinë e dhënies aeroportit të Sukhum (kryeqyteti i Abkhazisë) të statusit të aeroportit rezervë në periudhën e zhvillimit të Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2014 në Soçi.

Konstantin Garibov