Plani gjerësisht i reklamuar për shpëtimin e Greqisë, por deri tani i pa bashkërenditur nga vendet e eurozonës, që tani duket se është i destinuar për dështim. Menjëherë disa burime të afërta me bisedimet konfirmojnë: bankat private nuk dëshirojnë të marrin pjesë në ristrukturimin e borxheve të Athinës.

Më 21 korrik në Bruksel do të mblidhen kryetarët e shteteve dhe qeverive të eurozonës. Vetë ky samit është i jashtëzakonshëm, kurse tema e tij mjaft tradicionale - shpëtimi i Greqisë. Fillimisht takimi ishte planifikuar të mbahej më 15 korrik, por palët nuk arritën të përpunojnë dot një qëndrim unik. Udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë kërkuan tërheqjen e bankave private në procesin e shpëtimit të Greqisë. Kundërshtarët e kësaj ideje u shfaqën menjëherë. Kreu i ri i Bankës Federale të Gjermanisë Jens Weidmann e kritikoi ashpër idenë e nxjerrjes së Greqisë nga “gropa e borxheve” me ndihmën e bankave komerciale. Sepse kjo mund të destabilizojë sistemin bankar, pajtohet plotësisht me mendimin e Jens Weidmann Profesori i Shkollës së Lartë Ekonomike të Rusisë Aleksei Krasavin: “- Bankat tregtare, të cilat merren me këtë problem, janë komerciale për nga struktura e vet. Dhe detyrë, qëllim i tyre është të fitojnë sa më shumë para. Por askush nuk do tu lejojë atyre të bëjnë para në bazë të rreziqeve të larta, përfshirë këtu edhe organet lokale të mbikëqyrjes dhe rregullimit të veprimtarisë bankare. Mendoj, se ristrukturimi i borxheve të Greqisë dhe, në përgjithësi, mundësia e default-it (falimentimit) grek ndodhen tani në fazën teknike. Bankat do të presin edhe nja 2-3 javë dhe, pasi të kenë marrë garanci nga Banka Qendrore Evropiane, do të realizojnë ristrukturimin e Greqisë. Përse? Sepse ky operacion u sjell të ardhura suplementare bankave”, - thotë Aleksei Krasavin.

I gjithë problemi konsiston në atë, se agjencitë e klasifikimit të kredive (credit rating agencies) tashmë e kanë ulur që prej kohësh vlerësimin e kredibilitetit (besueshmërisë) të Greqisë si huamarrëse deri në nivelin më të ulët. Për bankat nuk është aspak me leverdi të mbajnë obligacione të tilla shtetërore në bilancin e vet, meqenëse kjo është e mbarsur me rrezikun e rishikimit të ratings të besueshmërisë së vetë atyre. Kurse kjo do të çojë në rritjen e kostos së huamarrjeve dhe rënies së rentabilitetit.

0Ekspertët presin që në samitin e jashtëzakonshëm në Bruksel të shpallet, më në fund, plani përfundimtar i shpëtimit të Greqisë. Vërtet, analistët venë në dukje të dhënat kontradiktore mbi ecurinë e bisedimeve. Zyrtarisht edhe Berlini, edhe Parisi thuhet se gjoja kanë rënë dakort me bankat mbi pjesëmarjen e tyre vullnetare në ristrukturimin e borxheve të Greqisë. Ndërsa burimet jozyrtare njoftojnë se bankierët e kundërshtojnë këtë gjë dhe se bëjnë pazarllëk për kushtet e pjesëmarrjes së tyre.

Polina Romanova