Në Evropën Perëndimore në një kohë të afërt mund të duken elektrostacione të reja, të cilat do të punojnë me gaz natyror dhe qymyr.  Për realizimin e kësaj ideje në jetë do të ndihmojë kompania ruse “Gazprom”, e cila nënshkroi në Romë Memorandumin e Mirëkuptimit me kompaninë energjetike gjermane RWE.

“Gazprom” dhe RWE po fillojnë konsultimet në lidhje me shqyrtimin e mundësisë së krijimit të ndërmarrjes së përbashkët, në të cilën do të përfshihen elektrostacionet ekzistuese dhe ato në ndërtim e sipër në Gjermani, Britaninë e Madhe dhe vendet e Beneluksit. Sipas fjalëve të Kreut të “Gazprom” Aleksei Miller, industria e energjisë elektrike është një ndër drejtimet prioritare të veprimtarisë së koncernit rus në Evropë. Kurse në dritën e vendimeve të fundit të qeverisë gjermane mbi reduktimin e programit të energjetikës bërthamore, krijohen perspektiva shumë të mira për ndërtimin në Gjermani të elektrostacioneve që do të punojnë me lëndë djegëse natyrore, tha Aleksei Miller. Me këtë logjikë pajtohet plotësisht edhe Drejtori i Fondit rus të Zhvillimit Energjetik Sergei Pikin, i cili mendon se Marrëveshja e re do ti japë “Gazprom-it” akses të drejtpërdrejtë në rrjetet energjetike të Evropës: “- Koncerni “Gazprom”  është një nga furnizuesit më të mëdhenj të gazit natyror në tregjet evropiane. Rrjedhimisht, ndërtimi i zinxhirit - furnizimi i gazit, prodhimi i energjisë elektrike dhe vënia e saj në dispozicion të konsumatorit - është shumë më efektiv. Me aplikimin e këtij mekanizmi rriten, si përfundim, edhe vëllimet e shitjes”, - thotë Sergei Pikin.

“Gazprom” po synon që prej kohësh pjesëmarrjen në shpërndarjen e drejtpërdrejtë të rrymave të burimeve të energjisë në Evropë, por deri tani nuk ia ka arritur dot qëllimit të vet. Negociata ai ka zhvilluar me kompani të ndryshme. Por bile edhe partneres kryesore të koncernit rus në ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream (“Rryma Veriore”) në Gjermani - kompanisë E. On - nuk ia ka fort ënda të lejojë aksesin e “Gazprom-it” deri tek konsumatori i fundit. Tani situata po ndryshon dhe u duk perspektiva për zgjerimit e biznesit rus në Evropë.

Kompania RWE zë vendin e dytë në tregun energjetik të Gjermanisë. Ajo ka asete në disa vende evropiane. Vetëm për vitin e kaluar të ardhurat e saj përbënë më shumë se 4.5 miliardë $. Por aktualisht kompania gjermane po përjeton, duhet thënë, kohët e veta jo më të mira: asaj po i bie fitimi dhe po i rriten borxhet korporative. Prandaj asaj i duhet tani një partner strategjik, i cili të mund të investonte në kompani. Dhe “Gazprom” shprehet i gatshëm ti garantojë furnizime të sigurta gazi RWE me çmime konkurruese. Këtë e vlerësojnë në kompaninë gjermane dhe janë të gatshëm, sipas fjalëve të drejtuesit të saj Juergen Grossmann, për realizimin e projekteve të përbashkëta me “Gazprom” në Gjermani dhe në vendet e treta. Ndërsa në kushtet e riorientimit të tregut evropian të energjisë për gaz natyror dhe qymyr, këto projekte po vijnë duke u bërë shumë premtuese për kompanitë ruse të sferës së energjetikës.

Aleksandër Vatutin