Shkarko audiofailin

Marrëdhëniet ruso-amerikane aktualisht janë në rritje. Administrata e Presidentit Barack Obama hoqi dorë nga politika e të zotërve të mëparshëm të Shtëpisë së Bardhë, e cila çoi në konfrontimin serioz midis dy vendeve. Për këtë, gjatë qëndrimit të vet me një vizitë zyrtare në SHBA, deklaroi Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov në intervistën ekskluzive dhënë në studion e Uashingtonit të Radiokompanisë “Zëri i Rusisë”.

Ministri Lavrov vuri në dukje si vijon: edhe Dimitri Medvediev, edhe Vladimir Putin gjatë periudhës së presidencës së tyre arritën të vendosin marrëdhënie të shkëlqyera personale me ish Presidentin e SHBA Xhorxh W. Bush. Por këto marrëdhënie ashtu dhe mbetën vetëm në nivel presidentësh: “- Ndërsa në nivele shumë më të ulta ne u ballafaquam me “ngacmues, irritues” të caktuar artificialë dhe situata ndryshoi vetëm me ardhjen e demokratëve në pushtet. Tani ne kemi një bashkëpunim shumë më të avancuar, i cili bazohet jo vetëm në marrëdhëniet e mira personale midis presidentëve. Aktualisht ky bashkëpunim ka marrë karakter sistematik. Dëshmi e gjallë e kësaj është veprimtaria e Komisionit presidencial, në përbërjen e të cilit hyjnë 20 grupe pune. Ato punojnë në të gjitha sferat e mundshme të bashkëpunimit - atë ekonomike, ushtarake, në fushën e mbrojtjes së mjedisit rrethues dhe të drejtave të njeriut. Qasja e re e administratës së re në marrëdhëniet dypalëshe ndihmoi gjithashtu për nënshkrimin e Traktatit jashtëzakonisht të rëndësishëm № 3 mbi shkurtimin e Armatimeve Strategjike Ofensive (ASO), i cili u ratifikua më në fund nga Kongresi amerikan. Ky Traktat është tejet i rëndësishëm edhe për marrëdhëniet dypalëshe, edhe për realizimin e projekteve të përbashkëta në vendet e treta”, - tha Sergei Lavrov.

Kur fjalë u bë mbi krijimin e mbrojtjes unike antiraket në Evropë me pjesëmarrjen e Rusisë, Ministri i Jashtëm rus njoftoi, se tani për tani nuk është arritur ndonjë sukses i ndjeshëm në negociatat përkatëse. I gjithë problemi konsiston në atë, se megjithëse negociatat nuk kanë përfundur ende, NATO pavarësisht nga kjo filloi tashmë dislokimin e elementëve të mbrojtjes antiraket (MAR) mbi bazë të strategjisë amerikane, objektivat e së cilës Rusia nuk i pranon si të arsyeshme.

Në intervistën e vet dhënë “Zërit të Rusisë” Ministri Lavrov i hodhi poshtë supozimet e disa ekspertëve perëndimore se Rusia mbështet tërthorazi regjimin e Muammar Gaddafit në Libi duke kundërshtuar kategorikisht vendosjen e sanksioneve kundër Sirisë. Sergei Lavrov kujtoi, se kur Gaddafi dha urdhër për bombardimin e civilëve, Rusia i dënoi menjëherë veprimet e tij dhe mbështeti rezolutën № 1970 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila obligonte ndalimin imediat të veprimeve luftarake. Por Rusia nuk mbështeti rezolutën tjetër, atë pasuese № 1973 mbi mbylljen e hapësirës ajrore të vendit, meqenëse ajo i jepte carte blanche çdo shteti për gjithfarë veprimesh për arritjen e këtij qëllimi. Dhe puna përfundoi me dhënien e goditjeve ajrore mbi objektivat tokësore, kujtoi Sergei Lavrov.

0Negociatat për zgjidhjen e krizës libiane në mënyrë paqësore do të vazhdojnë, por vend për Gaddafin në to nuk do të ketë, vuri në dukje Ministri rus. Përsa i përket problemit të Sirisë Lavrov mendon, se opozita e këtij vendi duhet të reagojë në mënyrë konstruktive ndaj reformave që po realizohen në jetë me iniciativën e autoriteteve me qëllim të parandalimit të përsëritjes së skenarit libian.

Ilia Harllamov