Shkarko audiofailin

Gjermanët pedantë llogaritën se për shkak të regjimit të vizave që vepron me Rusinë Gjermania humbet çdo vit më tepër se 160 milionë euro. Po sa humbet atëhere BE në tërësi? Ndërkohë, problemi ruso-gjerman i vizave po diskutohet tashmë që prej 18 vjetësh.

Po përse nuk është arritur kurrfarë rezultati deri tani? Eksperti i Qendrës së BE pranë Universitetit të Kant-it në Kaliningrad Vadim Voinikov i përgjigjet në këtë mënyrë pyetjes që i drejton korrespondetja e “Zërit të Rusisë”: “- Në shumë gjëra procesi frenohet për shkak të motiveve politike. Bashkimi Evropian thjesht nuk e vë ujin në zjarr, nuk dëshiron të vendosë me Rusinë regjimin pa viza. Atje i druhen fort vërshimit të fluksit të emigrantëve, megjithëse sipas klasifikimit të vetë BE Rusia nuk përfshihet në listën e vendeve të mbarsura me rrezikun e migrimit për të. Ndërkohë që nuk ka dhe unanimitet mendimi, njëzëshmëri në lidhje me Rusinë në BE. Polonia, Lituania, Italia, Spanja, Franca dalin “pro” anulimit të regjimit të vizave me Rusinë, kurse Gjermania, s’dihet përse, tregohet e tërhequr, fort e kujdesshme”, - konstaton Vadim Voinikov.

Bashkëbiseduesi i “Zërit të Rusisë” tregoi se si vendosi një ditë të shkojë në qytetin polak Elblong (Elbląg): “- Ky qytet ndodhet rreth 100 kilometra larg Kaliningradit dhe e gjithë rruga deri atje merr më e shumta 1 orë. Ne qëndruam gati 3 orë në radhë në dalje të Rusisë dhe po 3 orë gjatë hyrjes në rrugën e kthimit në territorin e saj - shërbimet kufitare punojnë shumë ngadalë. Prandaj problemi i heqjes së vizave duhet të zgjidhet njëkohësisht me lehtësimin e procedurave të kalimeve kufitare. Sigurisht, ne i jemi shumë mirënjohës Konsullatës së Përgjithshme të Polonisë, e cila në qoftë se qytetarët e Kaliningradit nuk kanë pasur ndonjë histori negative me punën e vizave u jep atyre menjëherë vizë 6-mujore me shumë kalime. Po e njëjta gjë aplikohet në qarkut e Leningradit për udhëtimet në Finlandë. Po lind natyrshëm pyetja: edhe për sa kohë do të varemi ne nga dëshira e mirë e konsullatave të vendeve të veçanta? - thotë Vadim Voinikov.

0Moska, ndërkohë, siç tha Presidenti Dimitri Medvediev, është e gatshme “që nesër” të heqë vizat me Bashkimin Evropian. Por Kryetari i Këshillit të Evropës Herman Van Rompuy nuk mund të përcaktojë bile as me afërsi datën e këtij evenimenti të shumëpritur.