Shkencëtarët rusë përpunuan një pajisje unikale për sistemet e pozicionimit global GLONASS dhe GPS. Ajo rrit deri në 10 herë përpikërinë e përcaktimit të koordinatave - deri në 1 milimetër. Ky zbulim, hop i madh do ta ndihmojë Rusinë për të zgjeruar kapacitetet në prodhimin e teknologjive të përparuara si dhe do të rrisë në masë të madhe sigurinë në objektet me rëndësi strategjike.

Shpikja u bë në qytetin siberian Omsk, në laboratorin e një ndërmarrje të vogël inovative. Pajisja e re përcakton koordinatat me saktësi deri në 1 centimetër, ndërsa po ti nënshtrohet përpunimit suplementar përpikëria mund të arrijë edhe deri në 1 milimetër. Tani për tani një rezultat i tillë është i paarritshëm, ëndërr për shumicën e navigatorëve modernë.

Shkencëtarët e Omskut përpunuan jo vetëm pajisjen për komunikim me stacionin bazë të navigacionit, por edhe boshtin, bërthamën për vetë stacionin. Marrësit e GLONASS dhe GPS mbajnë lidhjen me satelitët në kozmos, ndërsa kontrollori siguron funksionimin e pandërprerë, normal. Nëse është e nevojshme sistemi mund të transmetojë informacionin në lidhje me lëvizjet nëpërmjet Internetit madje dhe me ndihmën e telefonit të zakonshëm celular.

Pajisja e re, e përpunuar nga shkencëtarët rusë, është e pazëvendësueshme për monitorimin e urave, digave, linjave të tensionit të lartë dhe objekteve të tjera. Ajo do të mund të ndjekë bile dhe lëvizjet e pakapshme të pllakave tektonike, gjë kjo që do të ndihmojë për parashikimin e tërmeteve. Me aplikimin e saj ndryshime serioze do të presin edhe transportin: sistemi do të lejojë drejtimin automatik të makinave dhe mekanizmave, përcaktimin e trajektoreve të lëvizjes së trenave të shpejtë, aeroplanëve dhe anijeve.

Ja se ç’thotë për pajisjen e re rektori i Universitetit Shtetëror Kombëtar të Teknologjive të Informacionit  të Shën Petersburgut Aleksei Shellkovskij: “- Kjo shpikje e re mund të jetë fort e kërkuar në rajonet e vogla, nga biznesi i vogël dhe i mesëm për krijimin e vendeve të reja të punës - në sferat e teknologjive të larta dhe të paguara mirë. Produkte të tilla të bazuara mbi inovacione janë tejet të rëndësishme, në veçanti për krijimin e tregut. Ky është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për nga pikëpamja e komercializimit të zgjidhjeve teknike që tashmë ekzistojnë në vendin tonë. Ja, për shembull, ne konstruktuam GLONASS - sistemin që ka zgjidhur probleme të mëdha shtetërore. Kurse tani po krijohet mundësia për ta përshtatuar atë për ofrimin e shërbimeve dhe për ti bërë mundësitë e arritura me ndihmën e GLONASS-it të qasshme për konsum në masë”, - tha Aleksei Shellkovskij.

0Se teknologjia e re është me të vërtetë në kërkesë flet qartë fakti - pajisja e re e shkencëtarëve të Omskut tashmë është instaluar në Hidrocentralin Sajano-Shushensk, ku fikson vibracionet e digës pas rikonstruksionit.

Aleksei Çerniçenko