12 korriku është shpallur Ditë Zie në Republikën e Tartarstanit për nder të kujtimit të viktimave të anijes së fundosur “Bullgaria”. Sipas të dhënave të fundit në këtë katastrofë gjetën vdekjen 12 veta, u arrit të shpëtohen 80 pasagjerë. Fati i dhjetra udhëtarëve të tjerë deri tani mbetet i panjohur.

Rezultatet e zbulimit paraprak, i cili u ndërmorr nga zhytësit, dëshmojnë se numri i vdekurve mund ti tejkalojë të 100 vetat. Gjithsej në bordin e anijes ishin 200 persona, përfshirë anëtarët e ekuipazhit dhe turistët. Pavarësisht nga moti me stuhi të fortë e shi të rrëmbyer në zonën e fatkeqësisë operacionet kërkimore e shpëtuese vazhduan gjatë gjithë natës.

Rrethanat e fundosjes u komplikuan ndjeshëm nga moti jashtëzakonisht i keq - me stuhi dhe shi të fortë si dhe nga fakti, se anija ishte e mbushur plot e përplot me turistë. Sipas informacionit disponues, në këtë anije ndodheshin rreth 50 fëmijë. Anija “Bullgaria” u fundos në thellësinë 20 metra, 3 kilometra larg bregut të lumit Vollga. Dëshmitarët okularë pohojnë, se gjatë kthesës “Bullgaria” morri anën në të dhjathtë dhe u fundos brenda disa minutave, kurse njerëzit që u ndodhën në sipërfaqe të ujit përpiqeshin të shpëtonin me mjete rrethanore.

Aktualisht në lumin Vollga, në vendin e fundosjes së anijes, po vazhdojnë intensivisht operacionet e kërkimit dhe shpëtimit të të mbijetuarve, i njoftoi Radiokompanisë “Zëri i Rusisë Shefja e Zyrës së Informacionit të Ministrisë së Situatave të Jashtëzakonshme (MSJ) të Rusisë Irina Andrianova: “- Gjatë gjithë natës erdhi duke u rritur numri i grupeve të shpëtimit. Tani në likuidimin e pasojave të tragjedisë janë përfshirë 329 veta, midis të cilëve 91 zhytës dhe 74 njësi teknike speciale. Në momentet aktuale janë ngritur në sipërfaqe trupat pa jetë të 11 viktimave, kufoma e njërit nga ata u çua që dje në mbrëmje në kryeqytetin e Tartarstanit - Kazan. Kështu pra, deri tani u gjetën kufomat e 12 vetave, 80 pasagjerë u arrit të shpëtohen: 8 prej tyre ndodhen në spital. Operacionet e kërkimit dhe shpëtimit do të vazhdojnë”, - tha Irina Andrianova.

Shkaqet zyrtare të tragjedisë ende nuk janë bërë të ditura. Shprehen disa versione të fundosjes, duke përfshirë edhe gjendjen e keqe teknike të mjetit lundrues, mbingarkesën e tij me njerëz dhe cekëtinën e ndeshur në rrugën e lundrimit të anijes.

0Në kompaninë e lundrimit lumor të qytetit Kamsk, së cilës dhe i përkiste “Bullgaria”, njoftuan se anija nuk kishte asnjë difekt teknik dhe se ishte plotësisht e përshtatshme për lundrim. Se në ç’masë i përgjigjet realitetit ky informacion, këtë do ta verifikojnë hetuesit, të cilët tashmë ngritën çështje penale mbi bazë të nenit “Shkelja e rregullave të sigurisë dhe funksionimit të transportit, hekurudhor, ajror dhe detar”. Në Kazan tashmë mbërriti Kryetari i Komitetit Hetimor të Rusisë Aleksandër Bastrikin. Duam t’ju kujtojmë se mbrëmë, menjëherë pas tragjedisë, Presidenti Dimitri Medvediev udhëzoi udhëheqjen e Republikës së Tartarstanit ti japë gjithë ndihmën e domosdoshme të dëmtuarve, kurse Kryetarin e Komitetit Hetimor të Rusisë e ngarkoi me detyrën e zhvillimit të hetimit të plotë e gjithëpërfshirës të shkaqeve të tragjedisë.

Maria Çupina