Aeroplani i dytë i Ministrisë së Situatave të Jashtëzakonshme (MSJ) të Rusisë me ndihma humanitare në bord mbërriti tashmë në Libi. 36 ton mallra iu shpërndanë banorëve të Tripolit. Më parë një aeroplan po i tillë çoi ndihma humanitare në qytetin Benghazi, i cili kontrollohet nga kryengritësit.

Dërgimi i ndihmave humanitare në Libi u realizua me porosi të udhëheqjes ruse dhe në marrëveshje me të dy palët e konfliktit. Dhe ky është vetëm fillimi i operacionit humanitar në shkallë të gjerë në këtë vend, theksoi në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Zëvendësministri, Drejtori i Departamentit të Emergjencave të MSJ të Rusisë Juri Brazhnikov: “- Më 6-7 korrik Ministria e Situatave të Jashtëzakonshme (MSJ) e Rusisë me porosi të udhëheqjes ruse realizoi 2 fluturime me aeroplanët IL-76, në bordin e të cilëve u ngarkuan ndihma humanitare për popullsinë e Libisë. Aeroplani i parë u ul në Benghazi dhe ngarkesa  e tij u pranua. Aeroplani i dytë u ul në Tripoli. Ngarkesa e sjellë nga ai përbëhej kryesisht nga produktet për të cilat ka më tepër nevojë popullsia: oriz, sheqer, konserva, ushqim për fëmijë. Ne do të vazhdojmë edhe më tej, në përputhje me vendimet e MPJ dhe pëlqimin e palëve marrëse, dhënien e ndihmës humanitare popullsisë së prekur nga konflikti dhe pasojat drastike të tij”, - tha Juri Brazhnikov.

Më parë MPJ e Federatës Ruse lëshoi një deklaratë në të cilën u theksua, se ndihma urgjente humanitare po jepet jashtë kontekstit politik. Mallrat humanitare i shpërndahen gjithë popullsisë në nevojë, pavarësisht se në ç’pjesë të vendit ndodhet ajo.

Kriza humanitare në Libi u përshkallëzua pothuajse menjëherë pas fillimit të operacionit special të koalicionit të NATO-s. OKB-ja raporton gati çdo ditë për mijëra refugjatë të rinj të mbledhur në kufi, të cilët përpiqen të shpëtojnë duke marrë arratinë si nga raprezaljet e ushtrisë së Gaddafit, ashtu dhe nga anarshia, kaosi që mbjellin kryengritësit. Njerëzit në kampet e të shpërngulurve po vuajnë seriozisht prej mungesës së ushqimit. Një situatë e tillë po kaq kritike është krijuar edhe brenda vetë vendit.

0Në këto kushte ndihma e Moskës është mëse aktuale. Në një kohë të afërt do të përpunohen itinerarët optimalë të dërgimit dhe shpërndarjes së mallrave. Operacioni humanitar po vazhdon pavarësisht nga sulmet e pandërprera të aviacionit të koalicionit dhe veprimet luftarake në vend. Mandati i veprimtarisë humanitare të Rusisë në Libi që nga 1 qershori është shtyrë deri në fund shtatorit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të Libisë, që nga fillimi i operacionit “Dawn Odyssey”, kanë gjetur vdekjen si të paktën 850 veta. Konfirmim të këtij informacioni nga ana e organizatave ndërkombëtare tani për tani nuk ka.

Maria Vesnovskaja