Terroristët e organizatës “Al-Qaeda” janë të gatshëm të implantojnë në trupat e kamikazeve (vetëvrasësve) mekanizma shpërthyes për realizimin e sulmeve në aeroporte dhe në aeroplanë. Me një paralajmërim të tillë iu drejtua autoriteteve të vendeve të botës dhe kompanive ajrore Administrata e Shtëpisë së Bardhë.

Sipas informacionit të burimeve në Uashington, “sulme terroriste me shfrytëzimin e teknologjive të larta (HIG-TECH) planifikon të ndërmarrë celula jemenase e “Al-Qaeda”, një nga grupimet më aktive terroriste. Ai ka kryer tashmë një numër impresionues krimesh. Anëtarët e këtij grupimi terrorist po merren me përpunimin e metodës së implantimit në trupin e kamikazes të mekanizmave shpërthyes.

Në qoftë se një informacion i tillë tashmë u bë publik, për këtë me sa duket ekzistojnë arsye reale, mendon Presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare të Veteranëve të njësisë anti-terror “ALFA” Sergei Gonçarov: “- Fakti, se aktualisht terroristët e nivelit ndërkombëtar, por edhe ata primitivë, po përparojnë shpejt në drejtimet bashkëkohore teknike, është absolutisht i vërtetë.  Dhe nuk mund të përjashtohet kurrsesi varianti që sulmuesit-kamikaze për hir të fitimit të parave të implantojnë në trupat e vet mekanizma shpërthyes, të cilët janë të aftë të çhermetizojnë (depressurize) aeroplanët dhe të shkaktojnë aksidente. Nëse është vërtet kështu, atëhere duhet ribërë, ripërpunuar i gjithë sistemi i garantimit të sigurisë në aeroporte, meqenëse ai aktualisht nuk është plotësisht i gatshëm të përballet me një problem të tillë”, - tha Sergei Gonçarov.

Ekspertët amerikanë mendojnë, se pajisjet dhe aparaturat që përfshihen në arsenalin e shërbimeve të sigurisë të aeroporteve jo gjithmonë janë të afta të zbulojnë mekanizma të tillë shpërthyes. Një rrezik i tillë kërcënues është mjaft real për portet ajrore të Lindjes së Mesme dhe Evropës, ku shpesh herë nuk ka pajisje për skanimin e trupit të njeriut. Kamikazet mund të implantojnë në pjesë të ndryshme të trupit eksploziv, kurse më pas ta venë atë në veprim (ta detonojnë) me anë të injeksionit. Një përsosje e tillë e teknologjive kriminale duhet ti detyrojë të gjithë që të rishikojnë në përgjithësi rregullat e sigurisë në transport. Dhe kjo punë tashmë po zhvillohet në mënyrë mjaft aktive. Po vjen duke u bërë gjithnjë e më intensiv bashkëpunimi në këtë sferë midis Rusisë dhe NATO-s.

0Vitin e ardhshëm në Paris dhe në Shën Petersburg planifikohet të testohet sistemi më modern i garantimit të sigurisë në aeroporte dhe në stacionet e trenave, i cili është përpunuar nga shkencëtarët rusë. Kurse në mars zyrtarët natovianë promovuan sistemin “STANDEX”, të cilin e pagëzuan tashmë me emrin “Hunda elektronike”. Ai shpejt dhe në mënyrë të pagabueshme zbulon praninë e lëndës plasëse në mes të turmës së njerëzve dhe identifikon saktësisht mbajtësin e saj.

Maria Çupina