Rusia dhe NATO po fillojnë bashkëpunimin aktiv praktik në luftën kundër terrorizmit. Tashmë që vitin e ardhshëm në Paris dhe në Shën Petersburg planifikohet testimi i sistemit më modern të garantimit të sigurisë në aeroportet dhe stacionet e trenave. Konstruktimi i këtij sistemi bazohet mbi përpunimet shkencore të specialistëve rusë.

Duke marrë fjalën më 5 korrik në Shën Petersburg Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen deklaroi si vijon: kompleksi i ri destinohet për mbrojtjen e nyjeve të transportit nga veprimet e terroristëve-kamikaze (vetëvrasës). Shpërthimi në aeroportin rus “Domodedovo” në janar të këtij viti tregoi qartë, se një teknikë e tillë është jashtëzakonisht e nevojshme në ditët tona. Dhe jo vetëm në Rusi. Aktet terroriste që janë kryer disa vite më parë në Madrid, Londër, tregojnë qartë: se nga sulme të tilla nuk është i siguruar, imun askush.

Ky kompleks nuk është i vetmi, i parashikuar për shfrytëzim të mundshëm të përbashkët. Disa muaj më parë zyrtarët e NATO-s promovuan sistemin STANDEX, detyrë e të cilit është të përcaktojë shpejt me anë të analizatorit të erës praninë e lëndës eksplozive në mes të turmës dhe të identifikojë mbajtësin e saj. Në qoftë se testimi i këtij kompleksi do të përfundojë me sukses, atëhere STANDEX do të hyjë në listën e mjeteve të garantimit të sigurisë në Olimpiadën e vitit 2014 në Soçi.

Në Aleancën e Atlantikut të Veriut po projektohen jo pak sisteme, të cilat destinohen, në radhë të parë, si i thonë fjalës “për përdorim të brendshëm”. Por ato mund të bëhen edhe objekt bashkëpunimi me Rusinë, supozon eksperti ushtarak rus Anatoli Ciganok: “- NATO po përpunon projekte, të cilat destinohen ti shërbejnë vetë asaj. Për shembull, në Alencë përpiqen të krijojnë pajisjet për kërkimin e municioneve. Dhe është plotësisht me vend që ne po fillojmë të veprojmë së bashku me NATO-n. Duhet kuptuar qartë, se një pjesë e madhe e shteteve të NATO-s i nënshtrohet sulmeve terroriste. Ngjarje të tilla tragjike kanë patur vend tashmë në Francë, në Angli, në Spanjë, në Itali. Dhe do të ishte një gjë fort e mirë në qoftë se Rusia do të merrte pjesë në përpunimin e teknologjive për parandalimin e akteve terroriste. Shkencëtarët e një prej instituteve ruse shpikën pajisjen, e cila duke qenë e vendosur nën lokomotivë përcakton prezencën e eksplozivit në rrugën e itinerarit të trenit”, - tha eksperti rus Anatoli Ciganok.

Shumë projekte, që po përpunohen nga Rusia dhe NATO, mbajnë vulën “tepër sekrete” me qëllim që terroristët të mos shpikin operativisht “antidote” për to.

Maria Çupina