Moska shprehet e gatshme ti dorëzojë Baku-së dhe Erevan-it propozime të reja për rregullimin e konfliktit të Nagorni-Karabah-ut. Për këtë deklaroi të mërkurën, më 6 korrik, në Moskë Ministri i Jashtëm i Federatës Ruse Sergei Lavrov pas negociatave me homologun e tij armen Eduard Nallbanian.

Konflikti shpërtheu në fund të viteve 80-të – në fillim të viteve 90-të për shkak të faktit se armenët që jetojnë në Nagorni-Karabah, i cili hyn në përbërjen e Azerbajxhanit, filluan të kërkojnë ndarjen prej tij dhe kalimin nën juridiksionin e Armenisë.

Takimi i dy ministrave në Moskë u mbajt pas samitit të 24 qershorit të Rusisë, Armenisë dhe Azerbajxhanit në Kazan. Për këto 2 vitet e fundit Baku-ja dhe Erevani, palë konfliktuese midis tyre, janë ulur tashmë 7 herë rreth tryezës së bisedimeve me ndërmjetësinë e Moskës, por pa ndonjë sukses të dukshëm. Nuk u arrit progres në çështjen e zgjidhjes konflktit të Nagorni-Karabahut edhe në Kazan. Në atë samit planifikohej nënshkrimi i dokumentit ligjërisht të detyrueshëm për zbatim, në të cilin palët do të përcaktonin parimet themelore të rregullimit të konfliktit. Ndërsa Baku-ja dhe Erevani pas bisedimeve nuk bënë gjë tjetër veçse filluan të akuzojnë njëri-tjetrin për minimin e arritjes së marrëveshjeve, kurse Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Alijev premtoi ta çlirojë me të gjitha mënyrat Karabahun, deri në ndërmarrjen e veprimeve ushtarake po ta lypë nevoja.

Rezultatet e bisedimeve në Kazan u bënë temë kryesore e diskutimit të ministrave të jashtëm të Rusisë dhe Armenisë në Moskë. Siç vuri në dukje Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, gjëja më kryesore tani është përforcimi i marrëveshjeve tashmë të arritura: “- Ne mbetemi në pozitat të cilat u parashtruan në deklaratat e presidentëve të Rusisë, SHBA dhe Francës si dhe deklaratat e miratuara nga presidentët e Armenisë dhe Azerbajxhanit me pjesëmarrjen e Presidentit të Rusisë për dy vitet e fundit. Në to përmbahet marrëveshja mbi masat për uljen e tensionit, forcimin e besimit dhe parandalimin e incidenteve përgjatë linjës së kontaktit”, - tha Sergei Lavrov.

Ekspertët nuk janë aspak të prirur të besojnë se në një të ardhme të afërt mund të arrihet ndonjë hop, përparim i qenësishëm në zgjidhjen e konfliktit. Në Azerbajxhan kthimi i Nagorni-Karabahut është shndërruar tashmë në ide kombëtare. Përveç kësaj, Baku-ja minon besimin tek vetja me demonstrimin e vazhdueshëm, megjithëse vetëm me fjalë, të epërsisë ushtarake ndaj Erevanit. Në Armeni janë mëse të bindur, se çfarëdo lëshimi nga ana e saj do të çojë në dobësimin e gjithë pozitave të shtetit dhe në luftë të pashmangshme.

0Në një situatë të tillë qëndrimi i Moskës, i bazuar në ruajtjen e ekuilibrit në rajon, vlerësohet nga analistët politikë si i vetmi i mundur dhe i drejtë. Kurse arritja e paqes së plotë do të varet nga shfaqja e vullnetit politik të palëve konfliktuese, të cilat e kuptojnë për mrekulli se një konflikt i ri i armatosur nuk i duhet askujt.

Elizaveta Isakova