Gaddafi shprehet i gatshëm të largohet nga pushteti me kusht të pjesëmarrjes së djalit të tij Seif al-Islam në zgjedhjet që do të zhvillohen në vend dhe në këmbim të marrjes së garancive të sigurisë. Franca tashmë ra dakort ti ofrojë atij garanci të tilla, njoftojnë mediat ruse me referim tek burimet në udhëheqjen e Rusisë.

Informacioni mbi gatishmërinë e Gaddafit për tu larguar nga pushteti në kushte të caktuara tashmë u vlerësua si një ngjarje me rëndësi kthese vendimtare në zhvillimin e konfliktit libian. Një burim i lartë saktëson, se Parisi zyrtar shprehet i gatshëm të japë ndihmën e vet në këtë çështje. Në veçanti, Franca propozon shkrirjen (çbllokimin) e llogarive bankare të Gaddafit. Dhe bile është e gatshme të ndërhyjë për të shmangur arrestimin e tij me urdhërin e lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare. Herët e vonë Parisi do të ishte i detyruar megjithatë të ndërmerrte një hap të tillë, shprehet Presidenti i Institutit rus të Vlerësimeve Strategjike Aleksandër Konovallov: “- Fakti se situata do të ndryshojë është plotësisht i besueshëm. Po përse e bëri Franca këtë? Sepse nuk gabon vetëm ai që nuk bën asgjë. Asaj i duhet të shfaqë shkathtësi dhe urtësi për të ndrequr urgjentisht gabimet e veta. Franca, thjesht, arriti të kuptojë se u zhyt keq në batak së bashku me vende të tjera evropiane. Por unë jam i prirur ti përmbahem mendimit se nuk do të shkrihen të gjitha llogaritë bankare të Muammar Gaddafit dhe se gjithçka do të varet nga ajo, se ku do të ndodhet ai, nëse do të mund të bindet vallë Gaddafi dhe familja e tij që të braktisin Libinë”, - tha Aleksandër Konovallov.

Ekspertët venë në dukje se tani për tani është vështirë të parashikohet zhvillimi i mëtejshëm i situatës në këtë vend. Për më tepër se pikërisht në vigjilje i biri i Gaddafit Seif al-Islam në intervistën e vet dhënë botimit britanik “The Telegraph” bëri mëse të qartë, se as familja e tij, as vetë Muammar Gaddafi nuk e marrin në konsideratë mundësinë e largimit nga Libia: “- Ju doni vendosjen e demokracisë në Libi - ne jemi të gatshëm për këtë; ju dëshironi zhvillimin e zgjedhjeve në vend - ne japim pëlqimin tonë për to; ju doni kushtetutë të re - pa problem; ju doni pushimin e zjarrin nga ana jonë - ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Vetëm se kushti kryesor që na vihet ne gjatë kësaj është largimi i babait tim nga vendi. Unë mendoj se ky është budallallëk i madh, gjë krejtësisht e pakuptimtë. Ne nuk do ta pranojmë kurrë këtë”, - tha Seif al-Islam.

0Po sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s deklaroi në emër të gjithë organizatës, se “përpjekjet për kalimin tek regjimi demokratik” në Libi pas largimit të Muammar Gaddafit nga pushteti duhet ti kryesojë OKB-ja. Një koincidencë e tillë nuk është aspak e rastësishme, mendon ekspertja e Qendrës së Studimeve Euro-Atlantike të Universitetit Shtetëror të Moskës (MGU) “Lomonosov” Tatiana Panova: “- Unë mendoj se ekziston njëfarë lidhje e caktuar midis këtyre iniciativave. Fillimi i negociatave i përgjigjet interesave të të gjithë anëtarëve të koalicionit. Në NATO nuk ka një pikëpamje unike, në BE gjithashtu mbizotëron mospërkim i plotë mendimesh. Domethënë, përfundimi i konfliktit tani është prioritet për të gjithë. Vetë fakti se tani u propozua kalimi i procesit nën patronazhin e OKB-së është jashtëzakonisht pozitiv. Edhe për nga pikëpamja e interesave të Rusisë kjo është e rëndësishme, sepse ajo është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe do të mund të ndikojë në rregullimin e konfliktit në Libi”, - u shpreh Tatiana Panova.

Polina Çernica