Mbledhja e Këshillit NATO-Rusi doli rezultative, u arrit progres në diskutimin e çështjeve aktuale. Për këtë deklaroi Presidenti Dimitri Medvediev pas përfundimeve të negociatave në Soçi.

Ndërkohë, në vigjilje të takimit të Soçit mediat shkruanin në mënyrë të ethshme, se Rusia gati sa nuk po përgatit ultimatumin në adresë të Aleancës së Atlantikut të Veriut, e cila pengon, frenon negociatat për krijimin e mburojës evropiane antiraket me pjesëmarrjen e Rusisë. Por doli në të vërtetë se palët janë të gatshme për dialog, megjithëse ai shpesh herë ngec në vend, dhe se kanë ndërmend të rrisin dinamikën e tij. Bazën për këtë e hodhi samiti NATO-Rusi në Lisbonë, i cili u zhvillua në nëntor të vitit të kaluar, kujtoi Presidenti Medvediev: “- Në Lisbonë u miratua koncepti i ri strategjik i NATO-s. Ai fokusohet në zhvillimin e partneritetit me vende dhe organizata të tjera në mbarë botën. Ne mendojmë se kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për krijimin e një bote të sigurt, të fortë e stabile. Faktin, se Këshilli NATO-Rusi mund të bëhet platformë e sigurt, e besueshme për kërkimin e rrugëzgjidhjeve paqësore të konflikteve dhe zgjidhjen e problemeve të komplikuara, e vuri në dukje Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen: “- Ne ramë dakort që Këshilli NATO-Rusi të shndërrohet në platformë për diskutimin e të gjitha problemeve në çdo kohë dhe u morrëm vesh që të shmangim mospërputhjet serioze të mendimeve e pozitave. NATO dhe Rusia po përballen me një numër të madh rreziqesh kërcënuese të përbashkëta për sigurinë. Ne luftojmë me terrorizmin në tokë, det dhe ajër sup më sup. Ndërmarrim përpjekje të përbashkëta për stabilizimin e situatës në Afganistan dhe i kundërvihemi trafikimit të drogës. Por ne mund të bëjmë bashkarisht akoma dhe më shumë, veçanërisht në sferën e mbrojtjes antiraket (MAR)”, - tha Anders Fogh Rasmussen.

Përsa i përket mbrojtjes evropiane antiraket, duhet thënë, se në Soçi sërisht nuk arritën dot në marrëveshje. Në Moskë quajnë skemë optimale të mbrojtjes evropiane antiraket ndërtimin e mbrojtjes së integruar të SHBA dhe Rusisë me mbështetjen e vendeve evropiane të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në të cilën secila palë të ketë zonën e vet teknologjike të përgjegjësisë për evidentimin e rrezikut dhe përballimin e goditjes raketore nga drejtimet potencialisht të rrezikshme. Megjithatë, ekzistojnë edhe mundësi të tjera. Për shembull, më e preferueshme për Rusinë do të ishte refuzimi total i krijimit të mbrojtjes antiraket në Evropë. Ndërsa më pak i dëshirueshëm ndërtimi i sistemeve të veçanta të MAR.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s deklaroi në Soçi, se Aleanca zgjedh variantin e krijimit të sistemeve të veçanta të cilat bashkëveprojnë midis tyre. Ndërkohë ai nuk shpjegoi rregullin dhe natyrën e një bashkëveprimi të tillë. Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov, nga ana e vet, në këtë mënyrë e formuloi pozitën e Rusisë: “- Ne jemi të interesuar për krijimin e një situatë të tillë në hapësirën e Euro-Atlantikut, kur të gjitha shteteve, pavarësisht nga anëtarësimi i tyre në blloqe ushtarake, tu garantohet një siguri e barabartë. Kjo dhe është kuintesenca e iniciativës së Presidentit të Rusisë për përfundimin e Traktatit mbi sigurinë evropiane. Zhvillimi i ngjarjeve na bind ne se aktualiteti i kësaj iniciative nuk është minimizuar aspak. Nga ky këndvështrim u vlerësua edhe problemi i mbrojtjes evropiane antiraket. Në qoftë se projekti do të realizohet në bashkëpunim, atëhere ai do të ndryshojë rrënjësisht marrëdhëniet ekzistuese mes Rusisë dhe NATO-s në kah pozitiv”, - u shpreh Sergei Lavrov.

Moska u ka ofruar vazhdimisht vendeve të NATO-s të distancohen nga formati i frenimit të ndërsjelltë, të trashëguar nga kohërat e Luftës së Ftohtë, dhe të kalohet tek kundërshtimi praktik i rreziqeve të përbashkëta. Por kapërcimi i stereotipeve ekzistuese ndaj Rusisë në Aleancë po ecën shumë ngadalë.

0Bashkë me këtë, në takimin në Soçi u vunë në pah edhe sukseset evidente të arritura në stërvitjet e përbashkëta ushtarake, duke përfshirë këtu edhe parandalimin e akteve terroriste në ajër, në realizimin e projektit për trajnimin e pilotëve afganë si dhe masat për luftën kundër piraterisë e trafikimit të drogës dhe përsosjen e sistemit të reagimit ndaj fatkeqësive natyrore dhe katastrofave teknogjene.

Ilia Harllamov