Modelet më të mira të luftanijeve dhe armatimeve ruse janë paraqitur në Sallonin e V Ndërkombëtar Ushtarako-Detar që u hap në Shën Petersburg (29 qershori-3 korrik). Përpunimet më të fundit, më moderne i prezantojnë në të më shumë se 400 kompani dhe firma nga 30 vende të botës.

Në portin e kompleksit të ekspozitave, që ndodhet në brigjet e Gjirit të Finlandës, janë ankoruar luftanijet e Rusisë, SHBA, Gjermanisë, Holandës. Vemendjen e specialistëve e tërheq në veçanti ekspozita ruse e “Korporata e Bashkuar e Ndërtuesve të Anijeve” («ОСК»). Në platformën e Kompanisë janë paraqitur modelet e anijeve të vogla luftarake dhe modelet konceptuale të korvetave (anije të zonës së afërt detare). Korveta “Strogij” (“i Rrepti”), nga forma e vet ngjason me një anije kozmike, dhe me ndryshimin e moduleve mund të përdoret për transportimin e njerëzve, teknikës apo edhe si spital. Sipas fjalëve të Presidentit të «ОСК» Roman Trocenko, ndërtuesit rusë të anijeve e parashikuan kërkesën e madhe për luftanije të klasave të vogla: “- Të gjitha vendet janë të interesuara tani në zhvillimin e anijeve luftarake të klasës së korvetave. Këto janë anije të destinuara për patrullimin e rajoneve ujore apo zonave të afërta bregdetare, me një zhvendosje dy e gjysmë deri në pesë mijë tonë ujë, të pajisura me larmishmëri të madhe armatimesh”, - tha Roman Trocenko.

Sipas fjalëve të tij, “Korporata e Bashkuar e Ndërtuesve të Anijeve” ka se çfarë ti ofrojë konsumatorëve rusë dhe të huaj. Aktualisht në ndërtim e sipër janë 54 anije të tilla. 40 nga ato po konstruktohen për nevojat e Flotës Ushtarako-Detare të Rusisë, ndërsa të tjerat janë porositur nga blerës të huaj.

Ndër risitë më premtuese janë raketat ruso-indiane kundër-nëndetëse me krahë “Bramos” dhe kompleksi i armatimeve raketore Club-K. Ai është vendosur në një konteiner standart transportues (cargo) 12-vendësh, i cili shfrytëzohet për transportime detare. Falë një maskimi të tillë Club-K është e pamundur të dallohet deri sa nuk është aktivizuar. Specialistët perëndimorë e vlerësuan këtë armë-risi. Një armë e tillë mund të vendoset pa problem në çdo lloj anije, në platformat hekurudhore apo në kamionë të zakonshëm për transportim mallrash.

0Specialistët dhe porositësit potencialë do të kenë mundësi të njihen më hollësisht me karakteristikat teknike të armatimeve të paraqitura në Sallon në qitjet demonstrative. Ato zhvillohen në poligonin e provave në periferi të Shën Petersburgut. Për publikun ekspozita do të hapet të shtunën, më 2 korrik.

Anatoli Novosjollov dhe Sergei Mizerkin