Moska i quan të palejueshme përpjekjet e Perëndimit për përmbysjen e regjimeve të padëshirueshme për të në Lindjen e Afërme. Për këtë deklaroi Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov në Dumën Shtetërore të Federatës Ruse.

Duke komentuar situatën e krijuar në Lindjen e Afërt dhe në Afrikën e Veriut, Lavrov vuri në dukje se thirrjet për stimulimin e revolucioneve janë të papërgjegjshme. Është e domosdoshme që reformat të zhvillohen mbi bazë dialogu, përndryshe ngjarjet që kanë marrë zhvillim atje “do të jehojnë edhe në rajone të tjera të botës”. Ministri kujtoi informacionin që u duk në lidhje me faktin, se Franca ka hedhur nga ajri me parashuta dhe ka transportuar nëpërmjet kufijve tokësorë në Libi rreth 40 tonë armatime, midis të cilave dhe disa tanke të lehtë, të destinuara për opozitën. Ja komenti i tij në lidhje me këtë: “- Rusia iu drejtua Francës me një letër zyrtare, në të cilën kërkon sqarime përkatësisht vërtetësisë së informacionit, nga i cili rezulton se pala franceze furnizon me armë kryengritësit në Libi. Mbetemi në pritje të përgjigjes. Në qoftë se ky informacion do të gjejë konfirmim, atëhere kjo është shkelje brutale e rezolutës № 1970, e cila, meqë ra fjala, u miratua me konsensus”, - tha Sergei Lavrov.

Vërejtja evidente e Ministrit të Jashtëm rus i adresohet, në radhë të parë, NATO-s, meqenëse pikërisht nga trupat e saj dhe përbëhet koalicioni që po lufton aktualisht në Libi. Ndaj partnerëve të vet në Aleancën e Atlantikut të Veriut Moska ka edhe disa pretendime të tjera. Më kryesorja prej tyre - refuzimi për të nënshkruar garancitë e detyrueshme ligjore në lidhje me atë, se elementet e mbrojtjes amerikane antiraket në Evropë nuk do të drejtohen ndaj territorit rus. “Dialogu përkatësisht mbrojtjes antiraket (MAR) me SHBA po zhvillohet tani për tani jo me sukses të madh”, - konstatoi Sergei Lavrov. Negociatat do të vazhdojnë të hënën e ardhshme, më 4 korrik, në Soçi, ku do të mbahet mbledhja e Këshillit Rusi-NATO. Me pjesëmarrësit e takimit, dhe veçanërisht me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut Anders Fogh Rasmussen do të takohet Presidenti Dimitri Medvediev. Rezultati i diskutimit të kësaj teme do të jetë test për fortësinë e marrëdhënieve të Rusisë me partnerët perëndimorë, shprehet me bindje të plotë Ministri i Jashtëm i Rusisë.

Në fakt, sipas fjalëve të tij, Rusia nuk është aspak e prirur ta vështrojë botën nëpërmjet syzeve rozë. Në Moskë e kuptojnë për mrekulli se kush është për të mik dhe partner i vërtetë. Jo më kot prioritare për të mbeten lidhjet me vendet e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (BSHP). Fjalë bëhet jo vetëm për vende të tilla të vjetra mike si Ukraina, por edhe për aleatët e rinj strategjikë - Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut. Ndërsa Bjellorusinë rusët janë mësuar ta quajnë tashmë që prej shumë kohësh vend-vëlla. Lavrov theksoi në mënyrë të veçantë interesimin e Moskës në atë, që Bjellorusia të kapërcejë sa më shpejt që të jetë e mundur problemet aktuale ekonomike.

0Parlamentarët rusë e miratojnë plotësisht një qasje të tillë dhe e mbështesin  atë. “Ne sot u bindëm, se MPJ e Rusisë vepron në politikën ndërkombëtare në mënyrë konsekuente, profesionale, aktive dhe, ç’ka është më kryesorja, rezultative”, - deklaroi Kryetari i Komitetit të Dumës Shtetërore për Çështjet Ndërkombëtare Konstantin Kosaçov.

Elizaveta Isakova