Evropa duhet të bashkëpunojë me Rusinë në ndërtimin e gazsjellësit “South Stream” (“Rryma Jugore”). Me një deklaratë të tillë doli Kreu i Koncernit italian ENI Paolo Scaroni. Ai vë në dukje, se në qoftë se Rusia do të riorientojë furnizimet e gazit të vet natyror në Lindje, atëhere Bota e Vjetër rrezikon të mbetet pa burime energjie. Ekspertët theksojnë, se në kushtet e gjendjes së paqëndrueshme në Lindjen e Afërt e Lindjen e Mesme dhe rishikimit të politikave energjetike të vetë BE, roli i Rusisë do të vijë duke u rritur në mënyrë të ndjeshme.

Perspektiva për të mbetur pa burime energjie, me sa duket nga të gjitha, e detyroi Bashkimin Evropian të vlerësojë me një sy të ri avantazhet e bashkëpunimit me Rusinë. Kreu i Koncernit ENI Paolo Scaroni në intervistën e vet dhënë gazetës italiane “Sole 24 Ore” tha se vetëm Rusia mund të sigurojë të ardhmen energjetike të BE. Sigurisht, në qoftë se iniciativën nuk do t’ia rrëmbejnë atij Kina dhe India, të cilat po zhvillojnë aktivisht negociata me Moskën për përfitimin e furnizimeve të burimeve ruse të energjisë.

Eksperti rus në fushën e sigurisë energjetike Konstantin Simonov vë në dukje, se në Evropë po fillojnë të kuptojnë më në fund gabueshmërinë, falsitetin e politikave të mëparshme në fushën e garantimit energjetik: “- Ne vërejmë “pranverën arabe” në Afrikën e Veriut, nga momenti në moment mund të fillojë revolucioni në Algjeri, ndërsa Algjeria është furnizuesja e tretë, për nga rëndësia, e gazit në BE. Krejtësisht e paqartë është edhe gjendja në Arabinë Saudite, rreth së cilës po shumohen pikat e paqëndrueshmërisë politike. Nuk po vjen kurrfarë gazi edhe nga Iraku. Në kushtet e veprimit të sanksioneve serioze ndaj regjimit aktual politik në Teheran nuk mund të bëhet fare fjalë për gazin iranian”, - thotë Konstantin Simonov.

Ndërkohë, kujton esperti rus, “Gazprom” ka ndërmend të furnizojë në Kinë deri në 68 miliardë metra kub gaz në vit. Ky vëllim është i krahasueshëm me kapacitetin e tubacionit “South Stream” (“Rryma Jugore”) në 63 miliardë dhe tejkalon gazsjellësin “Nord Stream” (“Rryma Veriore”) - kapaciteti i planifikuar i të cilit është 55 miliardë metra kub gaz në vit.

0Përveç kësaj, sasi të mëdha lënde djegëse i duhen Japonisë, e cila për arsye tashmë të njohura është e detyruar të heqë dorë nga përdorimi i centraleve bërthamore. Kompanitë indiane, nga ana e vet, kanë kontraktuar tashmë pothuajse gjithë vëllimin e gazit të lëngëzuar nga vendburimi Shtokman, ku nxjerrja e gazit sapo ka filluar. Në një situatë të tillë Evropës do ti duhet të përballojë konkurrencën mjaft serioze me vendet aziatike për lëndën e parë ruse.

Roman Mamonov