Moska nuk është aspak e interesuar në atë që ngjarjet në Siri të zhvillohen sipas skenarit libian. Për këtë deklaroi Kryetari i Komitetit të Këshillit të Federatës të Rusisë për Çështjet Ndërkombëtare Mihaill Margellov. Ai nxorri përfundimet e takimit të zhvilluar me aktivistët e të drejtave të njeriut dhe politikanët opozitarë të Sirisë, që ndodhen aktualisht në Rusi. Fjalë në këtë takim u bë mbi atë se si të ndalohet gjakderdhja në këtë vend arab.

Vizita e delegacionit të opozitës siriane është krejtësisht private dhe kurrfarë takimesh formale nuk janë planifikuar me të. Mihaill Margellov i ftoi sirianët në Moskë si Kryetar i Këshillit të Shoqërisë Ruse të Solidaritetit me vendet e Azisë dhe Afrikës dhe jo si senator apo përfaqësues i posaçëm i Presidentit të Federatës Ruse.

Rusia është mike e hershme dhe e sinqertë e popullit sirian dhe prandaj problemet e fatkeqësitë e tij ne i perceptojmë si të ishin tonat, tha Margellov. Pikërisht për këtë arsye Rusia shpreson për spostimin e krizës në Siri në brazdën e  dialogut me të gjitha forcat politike me qëllim të parandalimit të zhvillimeve në këtë vend sipas skenarit më negativ, deklaroi ai. “- Udhëheqësit vijnë e largohen nga pushteti, shkojnë e vijnë politikanët. Sistemet sociale ndërrojnë njëri-tjetrin, por Rusisë i mbetet i vetmi mik i sigurtë, besnik - populli sirian. Pikërisht kjo është arsyeja përse ne shprehim interesim kaq të madh për atë që po ndodh aktualisht në këtë vend arab. Prandaj ne jemi kaq të interesuar në zgjidhjen sa më të shpejtë të krizës politike siriane. Ne jemi të interesuar të bëjmë gjithçka të mundur me qëllim që zhvillimi i situatës në Siri të mos shkojë sipas skenarit libian. Ne jemi të interesuar në atë, që reformat e shpallura nga qeveria siriane të bëhen realitet dhe që në këto procese politike të përfshihen përfaqësuesit e të gjitha grupeve e rrymave politike, të të gjitha besimeve, të të gjithë popujve e kombësive që jetojnë në Siri. Dialogu i sotëm ishte jashtëzakonisht i dobishëm dhe interesant. Ai ndihmoi për shqyrimin e pozitave të kolegëve tanë, miqve tanë. Dhe ne në Rusi po përpiqemi jo vetëm të kuptojmë se çfarë po ndodh në të vërtetë në Siri, të nxjerrim konkluzionet përkatëse nga kjo, por edhe të perceptojmë se ç’hapa të mëtejshëm mund dhe duhet të ndërmarrë Rusia”, - tha Mihaill Margellov.

0Duke i bërë vlerësim gjendjes së krijuar në Siri Mihaill Margellov theksoi, se situata atje vazhdon të mbetet e paqëndrueshme, e paqetë përkundër përpjekjeve të udhëheqjes së vendit për të reformuar sistemit politik.

Llada Korotun