Zëri i Rusisë Në vitet e afërta “Gazprom”rus planifikon të zgjerojë në mënyrë të qenësishme praninë e vet në tregjet e Rajonit të Azisë dhe Paqësorit. Kompania do të merret jo vetëm me eksportimin e gazit natyror, por dhe me furnizimin në vendet aziatike të gazit të lëngëzuar natyror dhe gazit të kompresuar (gazit natyror që përdoret si lëndë djegëse në vend të naftës dhe benzinës) në bazë të teknologjive të reja. Si baza rezervash për zgjerimin e eksporteve do të shërbejnë disa vendburime të mëdha të gazit natyror në Siberinë Lindore.

Kërkesa për gaz po vjen duke u rritur vrullshëm në vendet aziatike. Ka ndërmend të rrisë ndjeshëm kërkesën e vet për këtë lëndë djegëse Kina. Më shumë gaz natyror, sipas vlerësimit të ekspertëve, do të fillojnë të konsumojnë Japonia dhe Koreja. Rusia, e përfaqësuar nga Kompania “Gazprom”, është e pranishme tashmë në tregun e Rajonit të Azisë dhe Paqësorit. Kompania ruse është përfshirë në realizimin e projektit “Sahalin-2” (“Sakhalin-2”), në kuadër të të cilit gazi i lëngëzuar natyror i furnizohet kompanive japoneze dhe koreane. Pas ngjarjeve tragjike në Japoni, në këtë vend u dërguan suplementarisht disa çisterna me gaz të lëngëzuar natyror, vë në dukje Zëvendësi i drejtuesit të Kompanisë “Gazprom” Aleksandër Ananenkov. Përsa i përket realizimit të mëtejshëm të furnizimeve në Japoni, gjithçka do të varet nga llojet e burimeve të energjisë që do të preferojë të përdorë në të ardhmen vendi.

Në vitet e afërta Kompania planifikon të rrisë eksportet e gazit të lëngëzuar natyror dhe gazit të kompresuar në tregjet e Rajonit të Azisë dhe Paqësorit. Gazi natyror do të furnizohet nga vendburimet e tij në Jakuti (Yakutia).

Gjatë negociatave me Agjencinë Japoneze të Burimeve Natyrore do të shqyrtohet mundësia e prodhimit të 1.5 miliardë metra kub gaz për eksportimin e tij me rrugë detare në formë të kompresuar. “Gazprom” po zhvillon edhe drejtimin tradicional - eksportin e gazit natyror, në veçanti në Kinë. Veçanërisht premtues është projekti “Altai”, për të cilin si bazë rezervash shërben gazi natyror i Siberisë Perëndimore: “- Ky është projekti i parë, i cili hap mundësinë e realizimit të furnizimeve të gazit në Kinë. Projekti “Altai” tashmë ka marrë “dritën jeshile” teknologjike dhe teknike për realizim. Tani nevojitet vetëm të bihet dakort për çmimin e furnizimit. Negociatat po vazhdojnë dhe shpresojmë se këtë vit ato do të përfundojnë me sukses”, - tha Aleksandër Ananenkov.

0“Gazprom” bashkëpunon edhe me partnerët koreanë, veçanërisht me grupin e kompanive “KNOC”. Përfaqësuesve të tij u janë paraqitur tashmë propozimet për realizimin e projekteve në kuadër të Programit Lindor të Gazit të Kompanisë “Gazprom”.

Oleg Nehai