Zëri i Rusisë Shkencëtarët rusë po përpiqen të zbulojnë tani misterin e bacilit Escherichia coli (E. coli). Këto bacile janë dërguar në Qendrën Shkencore të Shërbimit Federal Sanitar të Rusisë në Obolensk nga Laboratori i BE në Romë. Pikërisht ky mutant i bacilit Escherichia coli dhe u bë shkak i vdekjes, si të paktën, i 39 personave dhe infektimit të 3.500 të tjerëve në Evropë.

Tashmë u arrit të zbulohet se infeksioni intestinal (i zorrëve) transmetohet jo vetëm nëpërmjet perimeve, por edhe nga njeriu tek njeriu. Autoritetet gjermane kanë konfirmuar zyrtarisht rastin kur një kuzhinier i prekur nga ky bacil infektoi edhe 20 persona të tjerë. Ky lloj tejet i rrezikshëm i bakteries Escherichia coli është gjetur edhe në rezervuarët e ujit në Frankfurt-am-Main. Lajme shqetësuaese po vijnë edhe nga përtej oqeani: 3 raste të prekjes nga infeksioni akut intestinal janë fiksuar në SHBA dhe 1 në Kanada. Sëmundjen e lidhin edhe me vizitimin e Evropës nga këta persona. Për në momentet aktuale situata u arrit të merret nën kontroll, mendon Tatiana Kollpakova, Zëvendës drejtoresha e Zyrës moskovite të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Federatën Ruse: “- Intensiteti i përhapjes së epidemisë së infeksionit të shkaktuar nga bacili Escherichia coli ka rënë disi në Gjermani. U arrit të identifikohet tashmë burimi i infeksionit dhe prandaj për këtë arsye nuk vërehet më rritja e rasteve të reja të prekjes së njerëzve. Në tërësi, shpërthimi i këtij infeksioni vlerësohet si një ndër më të fortët në Evropë. Dhe në të njëjtën kohë cilësohet si disi i pazakontë, meqenëse preken nga ai, në radhë të parë, të rriturit (zakonisht në grupin e rrezikut përfshihen fëmijët) - kryesisht femrat - më tepër se 60% e të sëmurëve rëndë”, - konstaton Tatiana Kollpakova.

Përpunimi i një antibiotiku efektiv për luftimin e këtij infeksioni do të marrë shumë kohë, vë në dukje Profesori i Fakultetit Biologjik të Universitetit Shtetëror të Moskës (MGU) Konstantin Shaitan: “- Për studimin e vetive të këtij mikroorganizmi do të duhen, ndoshta, disa muaj. Dhe është tejet e vështirë të thuhet tani se sa kohë do të nevojitet për përgatitjen e vaksinës dhe përpunimin e antibiotikëve që do të veprojnë efektivisht mbi këtë bacil të rrezikshëm. Përveç kësaj duhen bërë testimet paraklinikale, hulumtimet klinike dhe regjistrimi. Në qoftë se gjithçka do të shkojë mbarë e mirë, atëhere për të gjitha këto punë do të duhen nga 5-7 vjet”, - thotë Konstantin Shaitan.

0Kufiri rus vazhdon deri tani të mbetet i mbyllur për perimet evropiane. Kjo gjë shkaktoi zemërimin e hapur të Bashkimit Evropian.  Shërbimi Federal i Rusisë për monitorimin veterinar dhe fitosanitar “Rospotrebnadzor” tani për tani nuk shprehet për kurrfarë afatesh të heqjes së embargos, duke kujtuar se kjo është çështje e sigurisë kombëtare. Dhe i këshillon rusët të mos injorojnë rregullat e higjienës personale: të lajnë duart para ngrënies si dhe me kujdes të veçantë perimet.

Sergei Mizerkin