Shkarko audiofailin


Në Karelia - republikë në veriperëndim të Rusisë - natën në të gdhirë të së martës u rrëzua aeroplani pasagjer Tu-134.

Ai po kryente fluturimin nga Moska në Petrozavodsk. Viktima të katastrofës ajrore u bënë 44 persona. Midis tyre janë 2 qytetarë të Ukrainës, 1 shtetas i Suedisë, 1 shtetas i Holandës si dhe një familje prej katër personash me shtetësi të dyfishtë ruse dhe amerikane. Arritën të mbijetojnë vetëm 8 veta.

Në vendin e aksidentit tashmë kanë filluar të vijnë të afërmit e të vrarëve dhe të plagosurve. Janë përgatitur hotelet për akomodimin e tyre. Në rast nevoje njerëzve janë të gatshëm ti japin edhe mbështetje psikologjike, njoftoi Ministrja e Shëndetësisë e Karelias Valentina Uliç. “- Me të afërmit e viktimave po punojnë psikologët, psikiatrët. Të gjitha ekipet e specialistëve tashmë janë në vend. E gjithë ndihma e domosdoshme po u jepet njerëzve që kanë nevojë të ngutshme për të”, - tha Valentina Uliç.

Natën e kaluar Petrozavodsku ishte mbuluar nga një mjegull shumë e dendur dhe e ulët. Dukshmëria ishte vetëm 170 metra. Aeroplani që u nis nga Moska për në Petrozavodsk devijoi nga pista ku duhej të ulej rreth 150-200 metra. Deri në tokë atij i mbeteshin gjithsej 110 metra kur dispeçeri pikasi situatën emergjente dhe i dha urdhër ekuipazhit për të bërë një rreth të dytë fluturimi para uljes. Por në atë moment aeroplani kishte prekur linjën e tensionit të lartë dhe deaktivizoi për disa sekonda ndriçimin në pistat e uljes dhe ngritjes së aeroplanëve. Si rezultat dritat u fikën dhe kur pas disa sekondash u ndez automatikisht ndriçimi emergjent ishte tepër vonë. Aeroplani preku majat e pemëve dhe në kuptimin e plotë të fjalës “plugoi” autostradën. Gjatë prekjes së tokës ai zuri nën vete një automobil të lehtë. Nga korpusi i avionit u shkëputën krahët, motori dhe ai u shkatërrua pjesë-pjesë. Fragmentet e aeroplanit u shpërndanë brenda një rreze 300 metra.

Hetimi po shqyrton disa versione të aksidentit ajror. Midis tyre - faktori njeri, pra, gabimi i pilotit apo shërbimeve tokësore, moti i keq, disfunksionimi i aeroplanit apo problemet në pajisjet e aeroportit. U gjetën dhe u konfiskuan autoregjistruesit e fluturimit - “kutitë e zeza”. Ato janë ruajtur në gjendje të mirë.

Tetë personat që arritën të mbijetojnë, përfshirë edhe 2 fëmijë, tani janë shtruar në spital. Gjendja e 7 prej tyre vlerësohet si tejet e rëndë, njoftoi Kryemjeku i spitalit republikan Elisan Shandolloviç.

Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev i shprehu ngushëllimet e veta të afërmve të personave që gjetën vdekjen gjatë katastrofës ajrore. Ai tashmë dha të gjitha udhëzimet përkatëse për ofrimin e gjithë ndihmës së domosdoshme të dëmtuarve.

Gjithë informacionin e nevojshëm ju mund ta merrni nëpërmjet online:

Kodi i Rusisë “+7” 495-644-40-66;

Në Moskë 495-626-37-07;

Në Karelia 8142-56-16-34;

Konstantin Garibov