Zëri i Rusisë Agjencitë botërore që merren me çështjet e refugjatëve synojnë të bashkëpunojnë me Rusinë. Ajo është bërë tashmë një partnere tejet e rëndësishme në këtë sferë dhe ndihmëse e organizatave ndërkombëtare në situata emergjente. Për këtë deklaroi në intervistën ekskluzive dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Drejtuesja e Zyrës së Komisariatit Suprem të OKB-së për Çështjet e Refugjatëve në Moskë Geshe Karrenbrok: “- Ekzistojnë konventa ndërkombëtare me të cilat Rusia nuk është bashkuar ende, por ajo po punon aktualisht për miratimin e tyre. Një nga sukseset tona më të mëdha, fat i madh është vetë fakti se ne bashkëpunojmë me Rusinë që prej 2 dekadash. Dhe reduktimi i qenësishëm i numrit të personave pa shtetësi nuk mund të quhet bile arritje jona, por arritje pikërisht e Rusisë, veçanërisht pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Në momentet aktuale gati 600 mijë persona kanë marrë pasaporta ruse. Dhe kjo është një arritje jashtëzakonisht e madhe, do të thoja unë”, - u shpreh Geshe Karrenbrok.

Drejtuesja e Zyrës së Komisariatit Suprem të OKB-së për Çështjet e Refugjatëve në Moskë vuri në dukje se problemet ekzistuese janë të lidhura me shkaqet e reja të lëvizjes, zhvendosjes së njerëzve - globalizimin, rritjen e fluksit të migrimit për qëllim punësimi, konfliktet dhe përndjekjet. Përveç kësaj, po ndryshon klima, po shpeshtohen kataklizmat, fatkeqësitë natyrore, të cilat gjithashtu i detyrojnë njerëzit të braktisin vatrat e veta. Puna e OKB-së me Rusinë ka të bëjë pikërisht me zgjidhjen e problemeve të tilla të paparashikuara (emergjente), vë në dukje Geshe Karrenbrok: “- Po zhvillohet puna e vazhdueshme, kohëgjatë për përgatitjen e Memorandumit me Ministrinë e Situatave të Jashtëzakonshme të Rusisë, e cila i jep ndihmë të ndjeshme OKB-së në situata të tilla. Dhe ky bashkëpunim është mjaft efektiv. Për shembull, ne po punojmë bashkarisht që nga viti i kaluar në Kongo, më parë kemi bashkëvepruar në periudhën e konflikteve ballkanike. Dhe një bashkëpunim të kësaj natyre ne kemi ndërmend ta përforcojmë më tej. Një drejtim tjetër i bashkëpunimit me Rusinë konsiston në faktin se ajo është vend pritës për refugjatët. Rreth 5.000 persona në vit aplikojnë për statusin e refugjatit dhe për mbrojtje. Dhe Shërbimi Federal i Migracionit të Federatës Ruse pohon se rreth 50% e njerëzve kanë nevojë  për strehim të përkohshëm, kurse 5% e njerëzve përfitojnë statusin e refugjatit dhe marrjen nën mbrojtje. Kjo mund të konsiderohet arritje e madhe. Mendoj se bashkëpunimi me Rusinë konsiston edhe në zgjidhjen e problemeve të zhvendosjes së njerëzve, veçanërisht në Kaukazin e Veriut dhe në Republikën e  Çeçenisë. Atje Rusia ka bërë punë jashtëzakonisht të mëdha rindërtuese dhe prandaj tani OKB-ja po e mbyll Zyrën e vet në Vladikaukaz”, - tha Geshe Karrenbrok.

0Përfaqësuesja e OKB-së tha se Komisariati për Problemet e Refugjatëve po i rikthehet partneritetit vlerëplotë me Rusinë në kontekstin e vlerave globale njerëzore.  Bile më tepër se kaq, në OKB shpresojnë shumë se bashkëpunimi me Rusinë do të bëhet model, shembull për gjithë botën në çështjen e zgjidhjes së problemit të refugjatëve.

Marina Çupina dhe Ekaterina Shmeljova