Zëri i Rusisë Konti (rus. graf) Aleksei Ignatiev njihet në Rusi, para së gjithash, si autor i kujtimeve të famshme me titull “Pesëdhjetë vjet në shërbim”. Në këtë libër Ignatiev kujton periudhën e veprimtarisë së vet si ushtarak, oficer i Shtabit të Përgjithshëm të Perandorisë Ruse, më pas atë të diplomatit - fillimisht në Danimarkë, Suedi dhe Norvegji, kurse në vitet 1912-1917 - në Francë.

Mbas Revolucionit të Tetorit të vitit 1917 konti Ignatiev morri anën e Pushtetit Sovjetik dhe ndihmoi që të ruhen për Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) mjetet financiare që i përkisnin Rusisë cariste, të cilat ishin depozituar në emër të tij në bankat franceze (225 milionë rubla në ekuivalent floriri). Ka punuar në Përfaqësinë Tregtare në Paris.

Duhet thënë se Aleksei Ignatievin e interesonin jo vetëm veprimtaria ushtarake dhe diplomacia. Pasion i vërtetë i tij ishte kuzhina. Siç tregonte ai vetë, mjeshtërinë e artit të të gatuarit Ignatiev e përvetësoi që në fëmijëri, kur bëhej kurioz për të parë se çfarë gatuante kuzhinieri i familjes së tij Aleksandër Koçallov, nxënësi i kuzhinierit të famshëm kinez në kohën e vet në Shën Petersburg. Zotërimi i artit të të gatuarit i hyri në punë oficerit të ri gjatë periudhës së fushatave ushtarake - në kohën e luftës ruso-japoneze të viteve 1904-1905. Që rrugës për në front, në trenin ushtarak, ku nuk kishte kurrfarë vagoni-restorant, ndërsa bar-bufetë pranë stacioneve të trenave ishin pothuajse bosh, dhe filloi Ignatiev, si i thonë fjalës, “karrierën e vet në lëmin e kuzhinës”, duke pjekur me alkool të thatë bukën e zezë me proshutë.

Në Mançuri, ku ishin përqendruar trupat ruse, punët me ushqimin jo vetëm të ushtarëve, por dhe oficerëve ishin fare keq. Dhe atëhere konti Aleksei Ignatiev vendosi ta marrë këtë punë në duart e veta. Ai se ku gjeti një sobë të vjetër prej gize të hedhur, e pastroi mirë e mirë dhe pasi mbaronte shërbimin ushtarak ia hynte vetë gatimit të drekës. Suksesi i kësaj mense të improvizuar i joshi të gjithë oficerët e Shtabit të Përgjithshëm. “Dhoma e ngrënies filloi të zhvillohej, të lulëzonte”, - kujtonte më vonë Aleksei Ignatiev.

Pasi u bë diplomat, konti Ignatiev merrte pjesë si mysafir në gosti, darka e dreka të shumta. Kur shërbente si diplomat në Suedi, koloneli i Shtabit të Përgjithshëm suedez konti Roose e ftoi Ignativin së bashku me të shoqen për një darkë me mysafirë të ftuar. Pasi vuri re se si pjesëmarrësit e drekës ngrinin gotat duke iu drejtuar njëri-tjetrit me fjalët “Për shëndetin tuaj!”, diplomati rus piu për shëndetin e Zonjës së shtëpisë dhe ngriti dolli për vetë të Zotin e shtëpisë. Por në atë moment të gjithë të pranishmit në tavolinë ia plasën gazit dhe filluan të thërrasin me të madhe: “Dhjetë gota! Dhjetë gota!”. Doli se kjo ishte “gjoba” për kontin rus që shkeli padashur me gjestin e vet rregullin e vendosur në darkat e drekat me miq të ftuar: askush nuk ka të drejtë të pijë për shëndetin e të zotit të shtëpisë, dhe vetëm pas servirjes së ëmbëlsirës mysafiri i nderuar duhet të ngrihet në këmbë dhe në emër të të gjithë të ftuarve të tjerë të falenderojë të zotët e shtëpisë për pritjen dhe të ngrejë dolli për shëndetin e tyre.

0Në përfundim nuk na mbetet gjë tjetër veçse ti shtojmë asaj që thamë më sipër, se pakkush është në dijeni të faktit se Aleksei Ignatiev është jo vetëm autor i kujtimeve të famshme, por dhe i librit të artit të kuzhinës “Bisedat e kuzhinierit me ndihmësin” («Беседы повара с приспешником»).