Shkarko audiofailin

Javën e ardhshme do të mbahet samiti i radhës i BE. Çështja kryesore që do të diskutohet në të është problemi grek. Sepse ky vend po vazhdon të zhytet gjithnjë e më thellë në kaos. Niveli i jetesës në vend evidentohet në rënie të lirë, kurse qeveria e shtyrë nga kreditorët, të përfaqësuar në këtë rast nga BE dhe FMN, kërkon viktima të reja.

Rrëshqitja e ekonomisë së Athinës drejt finales së palavdishme ndodhi mu në sytë e të gjithëve. Në janar të vitit 2001 Greqia u bë anëtarja e 12 e Bashkimit Evropian. Për arritjen e këtij qëllimi qeverisë së saj iu desh të merrej me mashtrim primitiv, si i thonë fjalës, me hedhje hi syve duke korrigjuar bilancin e pagesave. Kreditë e lira të Bankës Qendrore Evropiane luajtën një shaka të hidhur, mizore me të: ato u morrën pa e vrarë fare mendjen për shpagimin pasues. A mund të besohet vallë se në Bruksel nuk dinin gjë për këtë? Ekspertët evropianë në unison konfirmojnë: e dini që ç’ke me të. Por preferonin të bënin një sy qorr e një vesh shurdh për hir të plotësimit të radhëve me rekrutë të rinj për zonën e monedhës unike.

Agjencitë e rejtingëve (ratings) i thirrën mendjes vetëm kur goditi kriza. Që nga viti 2009 kredibiliteti ndaj financave greke filloi të shkrijë me shpejtësi të madhe si dëbora në diell. BE, FMN dhe Banka Qendrore Evropiane u lëkundën gjatë deri në prill të vitit 2010 para se të fillojnë të injektojnë me të madhe kredi shumë-miliarda dollarëshe në ekonominë greke, duke detyruar njëkohësisht qeverinë në Athinë të reduktojë në mënyrën më të ndjeshme shpenzimet buxhetore dhe të përshpejtojë privatizimin e copave më të majme të ekonomisë kombëtare. Ekonomisti gjerman, Profesor Norman Paech mendon, se Greqia ndodhet aktualisht në prag të shitjeve të mëdha: “- Sipas pikëpamjes sime, Greqinë po e përgatisin për këtë. Rezistenca që po bëhet tani në vend si në radhët e udhëheqjes politike, po ashtu dhe popullsisë nuk është thyer ende. Por unitet nuk ka megjithatë në vend. Disa dalin për ristrukturimin e borxheve, disa të tjerë nuk dëshirojnë në kurrfarë mënyre t’ia hedhin barrën kapitalit privat. Por përshkallëzimi i tensionit në Greqi do të vijë duke u rritur, ndërsa kjo mund të çojë në falimentimin e vërtetë të ekonomisë së vendit. Dhe atëhere Evropa do të përballet me problemin jashtëzakonisht serioz e me përmasa të gjera: sepse në situatë analogjike ndodhen aktualisht Portugalia dhe bile Italia”, - konkludoi Norman Paech.

0Pjesëmarrësit e samitit të pritshëm të Bashkimit Evropian në Bruksel duan të gjejnë zgjidhjen e problemit grek. Ndërkohë bankat evropiane dhe kompanitë e sigurimeve po vazhdojnë të heqin qafe letrat greke me vlerë (bonot). Një hedhje jashtëzakonisht të madhe në treg të obligacioneve debitore shtetërore (debt government bonds) me shumë rreth 5 miliardë dollarë e ndërmorri pikërisht ajo nga e cila mund të pritej më pak një gjë e tillë - Banka Kombëtare e Greqisë. E si mund të binden pas kësaj institutet e huaja private kreditoro-monetare për të marrë pjesë në ristrukturimin e butë të borxheve greke? Kryetari i Eurogrupit Zhan-Klod Junker nuk shprehet aspak optimist. Parashikimi i tij është i tillë: nuk duhen pritur kurrfarë vendim-marrjesh në lidhje me Greqinë në samitin e ardhshëm në Bruksel.

Sergei Guk