Zëri i Rusisë 10 vjetët që kaluan nga koha e themelimit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSH) treguan qartë se kjo organizatë fitoi autoritet të madh në sferën e sigurisë rajonale dhe bashkëpunimit si dhe njohje mbarëbotërore tashmë. Për këtë deklaroi Presidenti Dimitri Medvediev në samitin e X-të të Organizatës në kryeqytetin e Kazakistanit - Astana.

Duam t’ju kujtojmë, se OBSH-ja u themelua në vitin 2001. Sot anëtare të kësaj Organizate janë: Rusia, Kina, Kazakistani, Kirgistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani. Statusin e vendeve vëzhguese në të e kanë fituar India, Irani, Pakistani dhe Mongolia.  OBSH-ja po vjen duke u bërë një nga lojtaret kyçe në hapësirën Euro-Aziatike dhe si konfirmim i kësaj shërben prania në samit e përfaqësuesve të pothuajse të gjitha organizatave të autoritetshme transnacionale, theksoi gjatë fjalës së marrë në Astana Presidenti i Federatës Ruse Dimitri Medvediev. “- Në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait ka ardhur duke u ndërtuar në vazhdimësi sistemi efektiv i reagimit ndaj rreziqeve kërcënuese në sferën e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë. Kjo është detyra më e rëndësishme që po zgjidhim realisht ne, midis të tjerash edhe nëpërmjet forcimit të strukturës rajonale anti-terroriste, bazës financiare dhe përbërjes së kuadrove të saj”, - theksoi Presidenti i Rusisë.

Këto rreziqe e sfida njihen mirë aktualisht: trafikimi i drogës afgane, terrorizmi ndërkombëtar, separatizmi dhe kriminaliteti, mungesa e stabilitetit politik në disa vende të Azisë Qendrore dhe të Lindjes së Mesme. Për t’iu kundërvënë këtyre dukurive në kuadër të OBSH zhvillohen rregullisht stërvitjet e përbashkëta ushtarake dhe anti-terroriste. Kurse strategjia unike Anti-drogë për periudhën e viteve 2011-2016 është bërë objekt shqyrtimi të veçantë në samitin e tanishëm.

Zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik është edhe një tjetër detyrë tejet e rëndësishme e OBSH-së. Në dhjetor të vitit të kaluar në mbledhjen e Kryetarëve të qeverive të shteteve anëtare të OBSH u morr vendimi për përpunimin e “hartës rrugore” për zbatimin e programit të bashkëpunimit shumëpalësh ekonomik. Në të do të fiksohen projektet e mëdha të Organizatës. Shtetet pjesëmarrëse tashmë kanë dalë në etapën e realizimit në jetë të projekteve të komunikacioneve Euro-Aziatike: rrugëve automobilistike dhe hekurudhore, rrjeteve të tubacioneve gaz e naftësjellëse. Janë themeluar Këshilli i Biznesit, Shoqatat ndërbankare, zhvillohen vazhdimisht forumet ekonomike të OBSH.

0Do ti shtojmë atyre që thamë më sipër se vendet vëzhguese India dhe Pakistani paraqitën tashmë kërkesat për anëtarësim në OBSH. Sipas mendimit të analistëve, procesi i zgjerimit të organizatës do të vijë duke marrë vrull, meqenëse kjo diktohet nga faktorë objektivë: Organizata e Bashkëpunimit e Shangait që në fillim ka deklaruar se ajo nuk është bllok ushtarak apo aleancë e drejtuar kundër ndokujt, por një strukturë e hapur ndërkombëtare. Më 15 qershor Presidenca në OBSH u transferua nga Kazakistani tek Kina.

Ilia Harllamov