Shkarko audiofailin

3 vjet më parë, më 15 qershor të vitit 2008, hyri në fuqi Kushtetuta e “Republikës së vetëshpallur të Kosovës”. Dokumenti e deklaroi Kosovën “shtet të lirë, demokratik dhe paqedashës”, i cili garanton “të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë shtetasve përpara ligjit”. Dokumenti u përgatit me pjesëmarrjen aktive të BE, ekspertët e të cilit kanë monitoruar me kujdes e vemendje të përqendruar përputhjen e tij me standartet ndërkombëtare. Dëgjoni në lidhje me këtë temë komentin e vëzhguesit të “Zërit të Rusisë” Pjotër Iskenderov.

 Autori shkruan: Themelet kushtetuese të Kosovës së sotme vazhdojnë të mbeten tejet të dyshimta. Sepse ndaj Kosovës vazhdon të mbetet ende në fuqi vepruese rezoluta № 12.44 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e 10 qershorit të vitit 1999. Mbi bazë të këtij dokumenti Misioni i OKB-së - që vazhdon të veprojë edhe tani në Kosovë - miratoi një sërë dokumentesh që kanë të bëjnë me funksionimin e organeve pushtetore kosovare. Kryesore midis tyre u bënë “Kuadrot e përkohshëm të vetadministrimit”, që i përshtatën të gjitha sferat kyçe të jetës së Kosovës në përputhje të plotë me normat themelore të OKB-së. Në këtë dokument, i cili u përkrah nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, Kosova nuk është definuar si shtet i pavarur, por si territor nën administrimin e përkohshëm të OKB-së.

Por pavarësia e vetëshpallur e Kosovës në shkurt të vitit 2008 dhe njohja e saj e menjëhershme nga fuqitë kryesore perëndimore e ka zhytur problemin kosovar në gjendje qorrsokaku të plotë ligjor ndërkombëtar. Në territorin e Kosovës veprojnë faktikisht 2 dokumente kushtetuese - normat, rregullat e formuluara nëpërmjet linjës së OKB-së dhe Kushtetuta e përpunuar nga Bashkimi Evropian. I pari mohon pavarësinë e Kosovës, kurse i dyti e përforcon, e mishëron këtë pavarësi. Një situatë e tillë inkurajon lëvizjet separatiste, në radhë të parë ato shqiptare, vuri në dukje në bisedën e zhvilluar me Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” ekspertja e Qendrës për studimin e krizës bashkëkohore ballkanike të Institutit rus të Sllavistikës Anna Filimonova: “- Fjalë bëhet mbi federalizimin e disa shteteve të Ballkanit. Para së gjithash nën goditje këtu ndodhen Maqedonia dhe Serbia e Jugut. Më pas territoret me popullsi shqiptare do të dalin në pespektivën e bashkimit me Shqipërinë. Ndërsa këto zhvillime mund të çojnë në rifillimin e konflikteve të armatosura ndëretnike”, - tha ekspertja ruse Anna Filimonova.

Si zot të besohet që në Bruksel të kenë parashikuar një zhvillim të tillë të ngjarjeve kur i dhanë pëlqimin Prishtinës për vënien në veprim të Kushtetutës separatiste të Kosovës. Por paaftësia evidente e Prishtinës për të ndërtuar një shtet demokratik dhe, para së gjithash, hendeku i thelluar në marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve, lejon të arrihet në konkluzionin se situata në Kosovë po del jashtë kontrollit të politikanëve evropianë.

Pjotër Iskenderov