Zëri i Rusisë Kryeqyteti i Kazakistanit - Astana - do të presë më 14-15 qershor pjesëmarrësit e samitit jubilar të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSH). OBSH është aktualisht një nga lojtaret kyçe në politikën ndërkombëtare dhe garante e stabilitetit në rajonin e Azisë Qendrore. Kryetarët e shteteve që hyjnë në OBSH (Rusisë, Kazakistanit, Kinës, Kirgistanit, Taxhikistanit dhe Uzbekistanit) kanë ndërmend jo vetëm të nxjerrin përfundimet e punës së bërë gjatë 10 vjetëve të ekzistencës së Organizatës, por dhe të shqyrtojnë strategjinë afatgjatë të zhvillimit të mëtejshëm të saj.

Në një të ardhme të afërt OBSH mund të shndërrohet në një shtyllë të fuqishme financiare dhe ekonomike, në një qendër të madhe politike. Për 10 vjet OBSH u transformua në një organizatë me ndikim të fuqishëm, e cila ka dalë tashmë përtej kuadrove rajonalë. Pa pjesëmarrjen e saj është bërë e pamundur zgjidhja efektive e problemeve të shumta ndërkombëtare, vë në dukje Përfaqësuesi i posaçëm i Presidentit të Rusisë për çështjet e OBSH Leonid Moiseiev: “- Për 10 vjet Organizata ka përshkuar një rrugë shumë të gjatë. Filloi nga zero bashkëpunimi në lidhje me një sërë drejtimesh të rëndësishme. Në momentet aktuale ky bashkëpunim po përhapet në të gjitha sferat, të cilat paraqesin interes për vendet anëtare të OBSH. Ne e filluam punën tonë me kundërveprimin ndaj terrorizmit, me çështjet e garantimit të sigurisë dhe stabilitetit. Dhe gradualisht ia hymë bashkëpunimit në fushën ekonomike, atë financiare, në sferën e arsimit, shëndetësisë”, - tha Leonid Moiseiev.

Në samitin e ardhshëm të udhëheqësve të vendeve anëtare të OBSH do të diskutohet një nga çështjet më të ngutshme e më të mprehta - strategjia anti-drogë, e cila destinohet të lançojë mekanizmin unik të kundërshtimit të trafikimit të drogës afgane. Përveç kësaj, në fushëpamjen e samitit do të jenë: zhvillimi i strukturës rajonale anti-terroriste të OBSH, rregullimi i situatës së krizës në Afganistan, zgjerimi i partneritetit ekonomik, social dhe kulturor.

0Në rendin e ditës së samitit do të jetë edhe një problem tjetër shumë i rëndësishëm - zgjerimi i Organizatës. Kandidatet e para për anëtarësim mund të bëhen vendet që gëzojnë aktualisht statusin e vëzhgueseve - India, Irani, Pakistani dhe Mongolia. Synimin e vet për të marrë një status të tillë e ka deklaruar tashmë edhe udhëheqja e Afganistanit. “Në margjinat e takimit është planifikuar edhe takimi bilateral i Presidentit Dimitri Medvediev dhe Udhëheqësit afgan Hamid Karzai.

Maria Çupina