Zëri i Rusisë 14 qershori është Dita Botërore e Dhuruesve të Gjakut. Kjo datë është zgjedhur jo krejt rastësisht. Në këtë ditë në vitin 1868 ka lindur mjeku immunologist (immunolog) austriak Karl Landsteiner. Në vitin 1900 ai zbuloi se gjaku i njeriut është i ndarë në grupe. Pikërisht ky zbulim i tij e bëri transfuzionin e gjakut maksimalisht efektiv dhe të parrezikshëm. Që nga viti 2005 u morr vendimi që ditëlindja e këtij shkencëtari të kremtohet si Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut falas, tregoi në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” koordinatorja e programit donator të Kryqit të Kuq Irina Ursu: “- 14 qershori është një aktivitet që zhvillohet në mbarë botën - në qytete të ndryshme nga organizata diverse. Ndër to mund të përmendim Shërbimin e Gjakut, Kryqin e Kuq dhe plot organizata të tjera donatore. Për shembull, ne nga 14-16 qershor do tu bëjmë dhurata donatorëve, të cilët vijnë në repartet e transfuzionit të gjakut dhe propagandojnë me këtë gjest mbështetjen e dhurimit falas të gjakut”, - tha Irina Ursu.

Data e dhurimit të parë vullnetar të gjakut nuk është fiksuar. Si sistem shtetëror dhurimi i gjakut filloi të zhvillohet në mbarë botën aty nga vitet 40 të shekullit XX. Në atë kohë në Bashkimin Sovjetik ekzistonte një nga sistemet më të zhvilluara të institucioneve të Shërbimit të Gjakut. Gjatë viteve të Luftës së Madhe Patriotike (Lufta e Dytë Botërore) u regjistruan më shumë se 5 milionë donatorë, të cilët shpëtuan, sipas të dhënave të ekspertëve, 7 milionë jetë njerëzish. Në vitin 1944 u themelua stema speciale që vihej në gjoks “Dhurues Nderi”, e cila u jepej njerëzve që kishin dhuruar disa herë gjak.

0Që nga viti 2008 zhvillimi i sistemit të dhurimit falas (altruist) të gjakut në Rusi ka marrë statusin e një prej detyrave më të rëndësishme shtetërore. Ministria e Shëndetësisë po realizon aktualisht në jetë programin e modernizimit të Shërbimit të Gjakut. Por nevoja për gjak donator e tejkalon gjithmonë sasinë disponuese të tij dhe ky është problem serioz për mbarë botën. Sipas të dhënave të specialistëve, çdo banori të tretë të planetit i është bërë një herë në jetë transfuzion gjaku. Fjala “donator” vjen nga latinishtja - “donate” - dhuroj. Kryqi i Kuq dhe organizata të tjera ndërkombëtare bëjnë thirrje për të dhuruar - të paktën një herë në vit - gjak duke i shpëtuar me këtë jetën dikujt. Procedura krejtësisht e parrezikshme e dhurimit të gjakut, e cila zhvillohet në repartet moderne të transfuzionit të gjakut, merr vetëm 15 minuta. Meqë ra fjala, mjekët arritën në konkluzionin, se njerëzit që dhurojnë vazhdimisht gjak jetojnë, si minimum, 5 vjet më gjatë se gjithë të tjerët.

Maria Vesnovskaja