Zëri i Rusisë 12 qershori është një nga festat “më të reja” shtetërore të vendit - Dita e Rusisë. Në këtë datë në vitin 1990 në Kongresin e I-rë të Deputetëve të Popullit të Federatës Ruse u miratua deklarata mbi sovranitetin shtetëror të Republikës Socialiste Federative Sovjetike Ruse (RSFSR). Në këtë dokument përmbahej një dispozitë e qenësishme e cila parashikonte si vijon: Federata Ruse nuk del nga përbërja e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS).

Një hap i tillë kaq i rëndësishëm u bë përgjigje ndaj serisë së pafund të sovraniteteve të shpallura prej shumë republikave sovjetike në atë periudhë. Por me kalimin e njëfarë kohe pikërisht kjo datë - 12 qershori - u bë pikënisje për historinë e formimit, konsolidimit të organizimit të ri shtetëror rus, të themeluar mbi parimet e federalizmit kushtetues. Ja se ç’thotë në lidhje me këtë datë Presidenti i Fondit “Euroazia e Re” Andrei Kortunov: “- Në periudhën e parë kjo festë ishte mjaft kontradiktore. Kur filluan të flasin mbi pavarësinë lindi aty për aty krejtësisht natyrshëm pyetja: pavarësi nga kush është kjo? Kishte njerëz të cilët e cilësonin miratimin e deklaratës ngjarje që shërbeu si katalizator për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Kështu që fillimisht qëndrimi ndaj kësaj feste ishte i paqartë, jo i njëkuptimshëm. Aktualisht pasionet u fashitën, u paquan dhe kuptimi i festës, si i thonë fjalës, u kristalizua”, - shprehet Andrei Kortunov.

Presidenti i parë i Rusisë Boris Yeltsin propozoi të bëhet 12 qershori festë shtetërore dhe e quajti atë Dita e Rusisë. Dekreti për sanksionimin e kësaj feste u nënshkrua në vitin 1994.

0Sipas traditës festa kremtohet gjithmonë me solemnite të mëdha e në shkallë të gjerë. Diku do të zhvillohen koncerte të larmishme, show dhe shfaqje të teatralizuara që do të pasohen nga fishekzjarret, diku tjetër do të organizohen aktivitete sportive, pjesëmarrës të të cilave do të jenë si atletët e rinj që po bëjnë hapat e parë në sportin e madh, ashtu dhe yjet e sportit botëror, shëtitje popullore.

Svetlana Andrejeva