Diplomati francez Charles Maurice de Talleyrand-Perigord hyri në histori si mjeshtër i intrigës politike. Emri i tij u bë praktikisht përgjithësues, sinonim i dinakërisë, shkathtësisë, zotësisë për të manovruar dhe pamoralshmërisë.

“Tradhtia është çështje date. Të tradhtosh në kohë do të thotë të jesh largpamës, të shfaqësh parashikueshmëri”, - këtë shprehje ia atribuojnë Talleyrand-Perigord-it. Por, ndoshta, shprehje programore e Talleyrand mund të quhet me meritë të plotë kjo: “Ndihmësi më i mirë i diplomatit është kuzhinieri i tij”.

Flitej se Talleyrand kishte 3 pasione - politikën, femrat dhe ushqimin. Vetë ai e konfirmonte këtë opinion duke pohuar se më të rëndësishme në jetë janë   dy gjëra: të japësh dreka të mira dhe të jesh i sjellshëm, kavalier me femrat.

Me kuzhinën e Talleyrand-Perigord merrej kuzhinieri Boucher me nofkën “Fyt i etur (i tharë)”. Princi Talleyrand kishte besim të verbër tek zoti Boucher. Diplomati i jepte kuzhinierit të vet liri të plotë në shpenzime dhe pajtohej me gjithçka që bënte ai në lëmin e gastronomisë.

Kur Talleyrand mbushi 24 vjeç ai çdo mëngjes kalonte plot një orë me kuzhinierin e vet duke diskutuar me të të gjitha pjatat (gatimet) e drekës së vet, meqenëse hante vetëm një herë në ditë.

Siç shkruante në “Grand Dictionnaire culinaire” (“Fjalori i Madh i kuzhinës”) Aleksandër Dumas-ati (Alexandre Dumas-le père), Talleyrand-Perigord ishte një ndër të parët që filloi të mendonte se kuzhina e shëndetshme dhe e menduar mirë forcon shëndetin dhe parandalon sëmundjet serioze.

Në mëngjes, përpara se t’ia hynte punëve të veta, Talleyrand pinte 2-3 filxhanë çaj kamomili.

Pikërisht në shtëpinë e Talleyrand shërbente kuzhinieri i famshëm Marie-Antoine Carême, i cili pat fituar namin e “mbretit të kuzhinës”. Falë pjesëmarrjes aktive të Talleyrand në artin e të gatuarit, kuzhinieri Carême përpunoi stilin e ri të të ngrënit me shfrytëzimin e barishteve e perimeve të freskëta, me thjeshtësimin e salcave, që përgatiteshin nga një masë e reduktuar produktesh.  

Tryeza e Talleyrand fitoi nam veçanërisht të madh gjatë kohës së zhvillimit të negociatave që pasuan rënien e Napoleonit. Në atë kohë e vuri re Marie-Antoine Carême Perandori rus Aleksandër, i cili iu lut Talleyrand t’ia linte atij në dispozicion kuzhinierin e famshëm Carême deri në fund të qëndrimit të vet në Paris. “Kuzhina ime, - shkruante më pas Carême në kujtimet e veta, - ishte avangarda e diplomacisë franceze”.

Alexandre Dumas konfirmonte në librin e vet, “se pikërisht falë atij Franca rifitoi sërish reputacionin e vendit të luksit dhe mikpritjes”. 

Dhe nuk të habit aspak pas kësaj fakti se u dukën shumë gatime të ndryshme që përfshijnë emrin e Talleyrand, për shembull savarin “Talleyrand”, që përfaqëson në vetvete një tip ëmbëlsire të bërë me brumë të zënë me maja në formë unazore (lakore) me copëza ananasi dhe të spërkatur përsipër me reçel kajsie.

0Talleyrand ndërroi jetë më 17 maj të vitit 1838 në moshën 84 vjeçare në Paris. Humoristët gjuhëmprehtë me këtë rast bënin shaka: “Vdiq Talleyrand? Interesant, po përse iu desh kjo atij?”.