Zëri i Rusisë Moska ka nevojë për garanci ligjore në lidhje me mosdrejtimin ndaj territorit të saj të sistemeve të mbrojtjes antiraketë si nga ana e NATO-s, ashtu dhe SHBA-s. Për këtë deklaroi të martën, më 7 qershor, Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë pranë Aleancës së Atlantikut të Veriut Dimitri Rogozin. Në këtë mënyrë i komentoi ai shprehjet e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Anders Fogh Rasmussen në intervistën e vet të paradokohshme mohoi mundësinë e dhënies së garancive nga NATO për mosdrejtimin kundër Rusisë të sistemit të mbrojtjes antiraketë që po krijohet në Evropë, meqenëse, sipas mendimit të tij, do të jetë tejet e vështirë të bashkërenditen dhe të ratifikohen formulime të tilla në të gjitha 29 vendet anëtare të NATO-s . Rasmussen propozon forcimin e besimit me anë të rrugës së “shkëmbimit të pikëpamjeve”.

Me deklaratat e veta Rasmussen diskreditoi marrëveshjet e arritura me NATO-n, të pa fiksuara në letër, thotë analisti politik rus Mihaill Remizov: “- Në dialogun publik NATO flet mbi atë, se sistemi global i mbrojtjes antiraketë nuk drejtohet kundër Rusisë. Moska propozon fiksimin e kësaj pozite në letër: në nivel parametrash të sistemit të mbrojtjes antiraketë që po krijohet, në nivel rajonesh të dislokimit të tij, në nivel karakteristikash teknologjike të raketave, shpejtësisë së tyre e kështu me radhë. NATO nuk dëshiron të ndërmarrë një hap të tillë. Ndërsa kjo do të thotë se konfirmimet, fjalët e saj mbeten vetëm deklarata politike dhe asgjë më shumë”, - tha analisti politik rus Mihaill Remizov.

Me qëndrimin e vet NATO i zgjidh duart Rusisë, thonë ekspertët. Në qoftë se do të rezultojë se mbrojtja perëndimore antiraketë do të kërcënojë sigurinë e Rusisë, atëhere Moska do të dalë nga Traktati №3 mbi shkurtimin e Armatimeve Strategjike të Rusisë. Ndërsa deri atëhere ajo mund ti lejojë plotësisht vetes të mendojë jo vetëm për forcimin e armatimeve të veta difensive, por edhe atyre ofensive. Këtë pozitë e shprehu mëse qartë Presidenti Dimitri Medvediev në takimin e “G-8” në Deauville të Francës, kujton Mihaill Remizov: “- Presidenti rus u shpreh mbi masat adekuate: zhvillimin e sistemeve sulmuese, ripërtëritjen e forcave strategjike bërthamore. Po, ai e quajti këtë garë armatimesh. Por duhet perceptuar qartë se fjalë nuk bëhet më për atë garë armatimesh që ka patur vend në epokën e Luftës së Ftohtë, e cila dhe e shkatërroi Bashkimin Sovjetik. Thjesht zhvillimi i sistemeve sulmuese është më pak i kushtueshëm se sa zhvillimi i sistemeve të mbrojtjes antiraketë. Me një fjalë, 1$ i investuar nga Rusia në zhvillimin e forcave sulmuese bërthamore do tu kushtojë 100$ partnerëve tanë, në qoftë se do të krijojnë sistemin e mbrojtjes antiraketë. Kjo garë armatimesh për nga pikëpamja ekonomike është bile më e leverdisshme për Rusisë.

0Tani për tani Moska është e gatshme të sakrifikojë leverdinë ekonomike për hir të qetësisë së përgjithshme dhe partneritetit real me NATO-n. Nëse do ta shfrytëzojë Perëndimi këtë shans - kjo pyetje i duhet drejtuar Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Inessa Frollova