Zëri i Rusisë Ish-Kreu i FMN Dominique Strauss-Kahn deklaroi në gjyq se nuk e pranon fajin që i inkriminohet atij. Të hënën në Nju Jork filloi seanca paragjyqësore e dëgjimeve në lidhje me një nga seks-skandalet më të bujshme të këtij dhjetëvjeçari të fundit. Ndërkohë, pavarësisht nga të gjitha detajet e reja, bashkëshortja e ish-Kreut të FMN po i jep atij mbështetje të gjithanshme. Ekspertët vënë në dukje, se kjo mund të ndikojë si në ecurinë e çështjes gjyqësore, ashtu dhe në karrierën e Anne Sinclair.

Gjatë ditës së parë të seancës gjyqësore të dëgjimit të çështjes së tij Dominique Strauss-Kahn i hodhi poshtë të gjitha 6 akuzat e ngritura kundër tij. Në rast të paraqitjes së dëshmive në lidhje me akuzën kryesore - “veprime të dhunshme me karakter seksual” - ish-kandidatit për në postin presidencial të Francës dhe njërit prej njerëzve me ndikim më të madh në ekonominë botërore i kërcënohet dënimi me 25 vjet heqje lirie. Duke marrë parasysh moshën e tij - 62 vjeçare - i bie që ky të jetë një dënim i përjetshëm. Por avokati i Strauss-Kahn Benjamin Brafman është i mbushur plot vendosmëri dhe konfirmon, se për kurrfarë dhune as që mund të bëhet fare fjalë dhe se çdo gjë ka ndodhur me pëlqim të dyanshëm:”- Sapo ne ti paraqesim gjykatës të gjitha provat e nevojshme dhe ato të shqyrtohen nga ajo do të bëhet menjëherë e krejtësisht e qartë se kurrfarë dhune nuk ka patur në këtë rast”, - deklaroi Benjamin Brafman.

Në të njëjtën kohë mbrojtësi i pastrueses së hotelit, e cila akuzon Dominique Strauss-Kahn, Kenneth Thompson deklaroi se as mohimi i fajit të vet nga ana e Strauss-Kahn, as potenciali e autoriteti i tij politik dhe financiar nuk mund të mbulojnë dot të vërtetën mbi atë që ndodhi në dhomën e hotelit, - tha ai.

Seanca e parë gjyqësore zgjati vetëm 6 minuta dhe pas përfundimit të saj ish-Kreu i FMN u largua me shpejtësi nga salla e gjyqit krah për krah me bashkëshorten dhe mbrojtësen e vet besnike Anne Sinclair. Që në fillim të këtij skandali të bujshëm e deri tani ajo këmbëngul në pafajësinë e plotë të bashkëshortit të vet. Gazetarja 63-vjeçare dhe biznes lady Anne Sinclair është gruaja e tretë e Dominique Strauss-Kahn. Përveç fjalëve ajo po e demonstron mbështetjen e saj me veprime konkrete: pikërisht Anne Sinclair, pa marrë parasysh shpenzimet financiare, pajtoi një grup avokatësh dhe detektivësh të autoritetshëm. Dhe po ajo pagoi në shenjë garancie për lirimin me kusht të bashkëshortit të vet 1 milion $. Pas kësaj Strauss-Kahn u la nën arrest shtëpie në apartamentin e vet në një nga rajonet më prestigjioze të Nju Jorkut me kosto rreth 14 milionë $, të marrë me qira po nga bashkëshortja e tij.

0Pavarësisht nga skandali seksual në Francë, shumicës së njerëzve i vjen keq për Dominique Strauss-Kahn. Dhe, siç venë në dukje strategët e teknologjive politike,  çfarëdo përfundimi që të ketë “çështja e Strauss-Kahn” fitimtare në të do të dalë megjithatë Anne Sinclair, e cila tashmë e rekomandoi veten si stres-menaxhere mjaft e mirë dhe hodhi themelet për një karrierë potenciale politike në të ardhmen.

Polina Çernica