Zëri i Rusisë Më 2 qershor në Qendrën Mjekësore moskovite “Гамма-нож» (“Gamma-thika”) pranë Institutit Kërkimoro-Shkencor “Burdenko” u realizua me sukses operacioni i parë në tru me anë të një pajisjeje supermoderne. Operacioni u zhvillua një ditë para 135-vjetorit të lindjes së neurokirurgut gjenial, emrin e të cilit mban Instituti.

Operacioni u realizua nga kryemjeku i Qendrës, Doktori i shkencave mjekësore, Profesor Andrei Gollanov. Pyetja e fundit që ai i bëri pacientit, të cilin po e shtrinin në një kapsulë gjysmë të tejdukshme plastike, shkaktoi impresion të thellë dhe entuziazëm midis gazetarëve të shumtë, të ftuar në “premierën” mjekësore. “Çfarë muzike dëshironi të dëgjoni tani?”.

Pacienti 59-vjeçar, i cili erdhi me trenin e mëngjesit në Moskë nga Murmansku përtej polar, për 1 orë e gjysëm kaloi të gjitha fazat përgatitore për operacionin krejtësisht pa gjak dhe pa dhimbje, të destinuar për ti hequr atij tumorin në tru me vëllim 6 centimetra kub. Ai u shtri në kapsulën e sipërpërmendur me pizhama shtëpie dhe në gjendje vetëdije të plotë, pa asnjë lloj anestezie. Me përgjigjen që i dha pyetjes së Profesorit pacienti i entuziazmoi akoma dhe më shumë përfaqësuesit e mediave. “Në fakt, - tha ai, - unë pëlqej muzikën klasike. Kryesorja është që të mos më vini tani marshin funeral!”.

28 minuta pas kësaj ai rrinte shtrirë në kapsulë dhe dëgjonte Mozartin. Ndërsa brenda aparatit të ndritshëm, nga i cili dilnin jashtë vetëm këmbët e pacientit, 192 burime lëshonin mbi trurin e tij rrezet jonizuese të izotopot të kobaltit-60. Çdo rreze e marrë në vevete është krejtësisht e padëmshme dhe e parrezikshme për  njeriun. Por të gjitha 192 rrezet e drejtuara nga kompjuteri, në të cilin gjysmë ore më parë Profesori dhe ekipi i tij hodhën planin elektronik të operacionit, kur u konverguan në një pikë morrën fuqi vdekjeprurëse. Në këtë pikë ndodhej tumori i hulumtuar me anë të tomografisë (tomography) dhe rrezet e konverguara e destinuan atë për vdekje të pashmangshme. Pacienti gjatë kësaj është plotësisht i aftë për punë. Ai nuk do të humbasë as kohë dhe as energji për periudhën e rehabilitimit. Atë praktikisht menjëherë pas operacionit e lanë të lirë të niset për në shtëpi.

0Profesor Andrei Gollanov i ka mbushur të 48-at. Gjatë ecurisë së operacionit ai rri në dhomën fqinje me aparatin, pas një pulti të madh kompjuterik. Ai ka duar të vërteta kirurgu me gishtërinj të fortë, të gjatë, në të cilat ai gjatë gjithë jetës ka mbajtur bisturinë, kurse tani ja dhe mouse e kompjuterit. Që nga viti 2005 ekziston pranë Institutit “Burdenko” Qendra Mjekësore moskovite “Гамма-нож» (“Gamma-thika”). Gjatë kësaj kohe Profesor Andrei Gollanov dhe ekipi i tij ka realizuar me sukses të plotë më tepër se 2000 operacione. Aktualisht ai ka fituar famën e njërit prej yjeve botërorë të radiokirurgjisë. Aparati “Leksell Gamma Knife Perfexion”, i projektuar prej kolegëve suedezë, do ti lejojë Profesorit të bëjë deri në 1.200 operacione në vit. Profesor Andrei Gollanov deklaron me bindje të plotë, se Qendra Mjekësore moskovite “Гамма-нож» (“Gamma-thika”) në mos është më e mira në botë, i përgjigjet pa diskutim standarteve më të larta ndërkombëtare.  

Aleksei Çerniçenko