Zëri i Rusisë Një nga restorantet më të vjetër parizianë “Café de la Paix” gjatë 4 muajve, nga maji e deri në shtator, i propozon klientëve të vet “Dhuratë nga perandori”. Kështu quhet ëmbëlsira e përgatitur sipas recetës së stilistit të famshëm rus  Valentin Judashkin.

“Café de la Paix” është një nga objektet më interesante, kuriozitetet e Parisit, duhet thënë. Këtë restorant e pat frekuentuar shpesh në kohën e vet kompozitori i madh rus Pjotër Çajkovskij (Tchaikovsky), ai ka gjetur pasqyrim në tabllonë e piktorit të njohur rus Konstantin Korovin. Ndërsa ja tani emri edhe i një rusi tjetër, Valentin Judashkin (Yudashkin), do të hyjë në historikun e tij falë projektit origjinal të restorantit parizian: ai është i vetmi në botë, në menunë e të cilit hyjnë ëmbëlsirat nga mjeshtrat e sferës së modës së lartë (Haute Couture).

Kështu pra, nga Valentin Judashkin restoranti fort i modës parizian ka marrë një “dhuratë mbretërore” - pastën, ëmbëlsirën e quajtur “Dhuratë nga perandori”. Në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Judashkin tregoi, se për shpikjen e kësaj ëmbëlsire atë e frymëzuan krijimet e argjendarit të famshëm Karl Faberzhe (Karl Fabergé): “- Koleksioni i parë i veshjeve, që unë solla në Paris, iu kushtua Faberzhesë (Fabergé). Dhe me kalimin e shumë viteve  unë vendosa ta përsëris këtë tematikë, por kësaj here në formë ëmbëlsire. Dhe më morri kjo punë po aq kohë sa dhe përgatitja e koleksionit - plot 6 muaj! U deshën takime, bisedime, pas kësaj skica. Më tej unë rekomandova përbërësit me qëllim që kjo të ishte megjithatë ëmbëlsirë ala-ruse: mjedër (manaferrë e butë), por ndoshta edhe rrush serezi (rrush toke (frëngu), disa lloj mousses. Mbas kësaj u bë forma, të cilën unë kërkova që ta zvogëlojnë pak. Pastaj vijuan konsultimet me pastiçerët (confectioners), kryekuzhinierin dhe, më në fund, kjo ëmbëlsirë u prezantua”, - tha Valentin Judashkin.

0Doli një vepër e vërtetë arti: nën lëvozhgën prej çokollate të praruar - meringa (vezë e rrahur) me aromë limoni jeshil, krem i lehtë me vanilje dhe copëza të vogla manaferrash dhe boronice (thrashegër ose rrush mali). Kapakun e ngrënshëm të kutisë (këllëfit) e mban një rul i ëmbël vaferi. Nën kapak, si një xhevahir delikat e plot finesë, duket kurora elegante e bërë me mjedër të sheqerizuar e të spërkatur me pika të arta. “Ëmbëlsira e përgatitur nga stilisti i famshëm rus për mysafirët tanë është shumë e rafinuar, e hollë, jashtëzakonisht e bukur dhe çuditërisht e shijshme, - konfirmon Drejtori i restorantit “Café de la Paix”. - Ne admirojmë prej kohësh punët kreative të stilistit famoz Valentin Judashkin, ndërsa tani zbuluam se përveç kësaj ai është dhe kuzhinier i mrekullueshëm”.