Zëri i Rusisë Në ditën e parë të verës e gjithë bota kremton Ditën Ndërkombëtare të Fëmijës. Ajo festohet që nga viti 1950 praktikisht në të gjitha vendet dhe destinohet ti kujtojë edhe një herë të rriturve mbi nevojën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijës.

Në skaje të ndryshme të planetit fëmijët jetojnë në mënyra diverse dhe vuajnë për arsye të ndryshme. Në qoftë se në SHBA këto janë efektet negative të shikimit të emisioneve të dëmshme televizive për psikikën e fëmijës dhe lojërave kompjuterike, në Afrikë shkaqet e vuajtjes së tyre janë uria, SIDA, analfabetizmi dhe luftrat e vazhdueshme. Niveli i vdekshmërisë së fëmijëve në vendet më pak të zhvilluara është pothuajse dyfishi i mesatares globale. Por ekzistojnë edhe probleme të përbashkëta: sipas UNICEF-it, më tepër se gjysma e fëmijëve jetojnë në familje, në të cilat dhuna në të gjitha manifestimet e saj është dukuri mjaft e përhapur.

Në Rusi po realizohet një kompleks masash që kanë të bëjnë me mbështetjen shtetërore të familjeve me fëmijë. Ndër të mund të përmendim: rritjen e ndjeshme të ndihmave financiare mujore për kujdesin ndaj fëmijës që i jepen nënës deri sa fëmija të mbushi 1 vjeç e gjysëm, aplikimin e pagimit të kapitalit Amësor, i cili i jepet gruas nga shteti pas lindjes së fëmijës së dytë dytë. Që nga viti 2006 po realizohet në jetë programi prioritar kombëtar “Shëndeti”, falë të cilit u arrit reduktimi i qëndrueshëm i vdekshmërisë së foshnjave.

Bashkë me këtë nuk mund të thuhet se kanë gjetur zgjidhje të gjitha problemet, në veçanti edhe ai i jetimëve. Në të kaluarën në Rusi numëroheshin pothuajse 700.000 fëmijë jetimë dhe të mbetur pa përkujdesje prindërore, thotë Avokati i Popullit për Fëmijët pranë Presidentit të Federatës Ruse Pavell Astahov: “- Numri i tyre është bile më i madh se ai që është fiksuar në Bashkimin Sovjetik pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Kjo është e lidhur me faktin, se numri i të ashtuquajturve jetimë socialë u rrit në mënyrë mjaft serioze gjatë këtyre viteve të fundit. Në kategorinë e jetimëve socialë hyjnë fëmijët me prindër të gjallë, por të lënë pa përkujdesje për forcë të sjelljes asociale (antishoqërore) të të rriturve, të cilëve u privohet për këtë arsye e drejta prindërore”, - shpjegon Pavell Astahov.

Prindërve të tillë duhet ti jepet ndihma e nevojshme, shprehet me bindje të plotë Pavell Astahov, dhe jo thjesht ti merren fëmijët atyre. Puna e shërbimeve sociale duhet të jetë rreptësisht personale, informale. Sepse, sipas fjalëve të ombudsman-it rus (Avokat i Popullit), “çështja e ruajtjes së familjes së një gjaku është çështja më e rëndësishme shtetërore”. Ndërsa në qoftë se prindërit e papërgjegjshëm do të jetë e pamundur të ndreqen, atëhere fëmija është më mirë të dorëzohet në jetimore, ose ti jepet ndonjë familjeje nën kujdestari.

0Në mënyrë akute shtrohet për zgjidhje aktualisht problemi i sigurisë së fëmijëve. Ata vuajnë nga keqtrajtimi fizik, abuzimi seksual, nga hapësira agresive mediatike. Me gjithë pluset, avantazhet e veta të padiskutueshme Interneti është megjithatë një “parajsë” e vërtetë për pedofilët. Në mënyrë që të mbrohen  të miturit nga kthetrat e tyre Pavell Astahov propozon rreptësimin e përgjegjësisë së ofruesve të shërbimeve kompjuterike (providers) deri në ndjekje penale.

Andrei Smirnov