Komisioni Evropian nuk është në dijeni se me çfarë do ta zëvendësojë Gjermania energjinë bërthamore. Kështu e komentuan në Bruksel vendimin e Berlinit për  pezullimin e punës së të gjitha elektrostacioneve atomike duke filluar që nga viti 2022. Qeveria e Gjermanisë u detyrua të ndërmarrë një hap të tillë për shkak të avarisë serioze që ndodhi në centralin bërthamor japonez “Fukushima-1”. Një rol jo të fundit luajtën në këtë edhe demonstratat e kundërshtarëve të përdorimit të energjisë atomike: në protestat e së dielës në Gjermani morrën pjesë rreth 160 mijë veta.

Berlini, me sa duket nga të gjitha, po bëhet pionier në çështjen e refuzimit të plotë të përdorimit të energjisë bërthamore. Vendimi i qeverisë është i drejtë dhe pozitiv, shprehet me bindje të plotë Ministri i Mbrojtjes së Mjedisit dhe Sigurisë Bërthamore të Gjermanisë Norbert Rettgen. Plot 14 orë u diskutua kjo çështje në kabinetin e ministrave. Rezultatet e takimit janë të tilla: 7 centralet më të vjetra bërthamore në vend dhe reaktori i dëmtuar Krummel, puna e të  cilëve u ngri tashmë që nga muaji mars, do të mbeten të fikur. Një nga elektrostacionet atomike do të lihet në regjim “stanby” - në rast ndërprerjeje të furnizimit me energji elektrike. Të tjerët duhet të nxirren jashtë funksionimit deri në vitin 2021, kurse aty nga fundi vitit 2022 do të ndalohen edhe 3 centralet e fundit, më të reja bërthamore.

Opozita, nga ana e vet, i konsideron planet e qeverisë si të krejtësisht të shkëputura nga realiteti. Kështu, kosto e demontimit të një centrali bërthamor arrin deri në 750 milionë euro. Ky proces do të marrë nja 10 vjet. Nuk duhet lënë ndërkohë në harresë dhe problemi i përjetshëm për Gjemaninë që ka të bëjë me utilizimin e mbeturinave bërthamore.

Nuk është aspak e qartë tani për tani edhe ajo, se me çfarë pikërisht ka ndërmend ta zëvendësojë Gjermania energjinë bërthamore. Në të njëjtën kohë, sipas mendimit të shumicës së ekspertëve, alternativa e vetme reale e energjisë atomike aktualisht është gazi natyror. Kurse Gjermania është një nga prodhueset kryesore në botë të pajisjeve për centralet elektrike moderne me turbina gazi. Në qoftë se pikërisht në këtë dhe bazohet plani i Berlinit, atëhere ekzistojnë të gjitha shanset për sukses, mendon Drejtori i Fondit të Sigurisë Energjetike të Rusisë Konstantin Simonov: “- Unë tashmë e kam llogaritur: në qoftë se Gjermania do të zëvendësojë energjinë bërthamore me gaz natyror, atëhere asaj do ti nevojiten 34 miliardë metra kub gaz. Ky duket një plan me përmasa mjaft impresionuese, por gjatë kësaj nuk duhet lënë në harresë fakti se fjalë bëhet për vitin 2022. Kurse për 11 vjet ekzistojnë të gjitha mundësitë për tu përgatitur për këtë hap. Rusia sapo përfundoi ndërtimin e degës së parë të tubacionit “Nord Stream” (“Rryma Veriore”), ndërsa nëpërmjet saj pompohen 25 miliardë metra kub gaz. Vitin e ardhshëm do të përfundojë ndërtimi i degës së dytë të këtij gazsjellësi, i cili do të sigurojë furnizimin edhe të 20 miliardë metra kub gaz”, - thotë Konstantin Simonov.

0Në qoftë se Gjermania do të arrijë të realizojë vërtet kalimin tek energjetika “jobërthamore” aty nga viti 2022, atëhere ka shumë mundësi që shembulli i saj të frymëzojë edhe të tjerët.

Anastasia Aleksandrova dhe Artiom Ananian