Athina është e gatshme të refuzojë përdorimin e euros dhe të rikthehet tek dhrahmia. Kjo deklaratë u bë nga Komisioneria evropiane e Greqisë Maria Damanaki. Në njoftimin e vendosur në site zyrtar të anëtares së Komisionit Evropian Maria Damanaki më 25 maj thuhet, se “skenari për dëbimin e Greqisë nga zona e euros tashmë ndodhet në tryezën e punës”.

Pas deklaratave të tilla Brukseli me të drejtë të plotë duhej të alarmohej shumë. Dalja e Greqisë nga zona e euros do të godiste fort jo vetëm valutën unike evropiane, por edhe ekonomitë e vendeve, ku ajo është njësi monetare kombëtare, si dhe do të dëmtonte reputacionin politik të gjithë Komunitetit Europian.

Por, me sa duket nga të gjitha, pak-kush e merr seriozisht synimin e Athinës për tu kthyer sërisht tek dhrahmia. Sepse nuk do të jetë aspak e lehtë marrja e një vendimi të tillë për nga pikëpamja e procedurave formale zyrtare, thekson Presidenti i Shoqatës së Bankave Ruse Garegin Tosunian: “- Marrëveshja monetare, në parim, e parashikon një gjë të tillë, por kjo është praktikisht jo reale. Kur Athina pranoi ta vinte në qarkullim në vend këtë monedhë e kuptonte për mrekulli se çfarë obligimesh merrte mbi vete. Dhe obligime jo vetëm ndaj vetes, por dhe ndaj gjithë pjesëmarrësve të tjerë të marrëveshjes evropiane. Rrjedhimisht procedura e daljes atje nuk është aspak e thjeshtë. Prandaj unë nuk u besoj fare deklaratve të tilla. Ky është një nivel i caktuar shantazhi”, - thotë Garegin Tosunian.

Ekspertët anojnë të vërejnë në këtë situatë shantazhin edhe për arsyen se njoftimi në fjalë në site e Komisioneres evropiane të Greqisë u duk në sfondin e drejtimit të Athinës në FMN dhe në Bankën Qendrore Evropiane me kërkesën për zgjatjen e mbështetjes me kredi nga viti 2012 deri, të paktën, në vitin 2015. Edhe një rrugëzgjidhje tjetër të problemit grekët e vërejnë në ristrukturimin e borxhit. BE ndaj kësaj aspirate reagon me mosmiratim. Kjo do të shndërrohet në disfatë të plotë për vetë Greqinë, paralajmëron anëtari i Këshillit të bordit drejtues të Bankës Qendrore Evropiane Jϋrgen Stark: “- Është iluzion të mendohet se ristrukturimi i borxhit do të ndihmojë për zgjidhjen e problemeve me të cilat po përballet ky vend aktualisht. Ristrukturimi i borxhit pjesërisht apo krejtësisht do të asgjësojë totalisht kapitalet e bankave greke. Kështu që kjo është recetë katastrofe”, - thotë Jϋrgen Stark.

0Ajo që përpiqen të arrijnë nga Greqia  është reduktimi i defiçitit buxhetor nëpërmjet kursimit të rreptë dhe shitjes së aseteve shtetërore.  Athina, në përgjithësi, nuk është aspak kundër kësaj. Por nga reforma të tilla kaq radikale janë të pakënaqur banorët e vendit. Grekët bëjnë greva, dalin në demonstrata dhe kërkojnë nga qeveria që të mos shkojë qorrazi pas qerres së FMN.

Aleksandër Vatutin