Në vitin 2006 në Komitetin e UNESKO-s erdhi kërkesa nga një grup prej 300 kuzhinierësh e kryekuzhinierësh të famshëm të Francës, të cilët bënë thirrje në të për ta futur kuzhinën franceze në listën e trashëgimisë jomateriale kulturore botërore të njerëzimit.

Në nëntor të vitit 2010 ekspertët e UNESKO-s arritën në konkluzionin si më poshtë vijon: “Në bazë të gastronomisë franceze qëndron aspekti i rëndësishëm social, meqenëse momentet më të rëndësishme në jetën e njeriut dhe shoqërisë në Francë janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me tryezat e gostisë”. Dhe kuzhina franceze hyri pas kësaj në listën e UNESKO-s.

Një nga udhëtimet e veta të para jashtë shtetit në rolin e Kryetarit të shtetit Sarkozy e ndërmorri në SHBA. Presidenti amerikan George W Bush e priti homologun e vet në çifligun e familjes në shtetin Maine. Mysafirin e lartë francez e gostitën me gatimet tradicionale për piknikun amerikan: hot dogs dhe hamburger. Gjatë kësaj mediat shtronin pyetjen: a u përfshi vallë në menunë e drekës edhe një gatim tjetër amerikan? - patatet e skuqura, të njohura më tepër si “French fries”, domethënë “patate të skuqura ala-francezçe”. Por në kulmin e mosmarrëveshjeve ekzistuese në ato momente midis Francës dhe SHBA për shkak të luftës në Irak, në Shtetet e Bashkuara tingëllonin thirrjet për ta riemërtuar gatimin në fjalë në “Patate të lirisë” (“Freedom fries”).

Kurse gjatë kohës së një prej vizitave të Sarkozy tek Kryeministri i Britanisë së Madhe Gordon Brown Presidentin e Francës e gostitën me meze të përgatitura me salmon skocez, me rosa nga Norfolk të shoqëruara me dardha të nxehta të karamelizuara në brioche. Vërtet, tryeza u përgatit për mysafirin e lartë nga kuzhinieri francez Raymond Blanc, i cili punonte prej kohësh në Mbretërinë e Bashkuar. “Unë do të përpiqem ta tundoj atë me një shishe verë të mrekullueshme franceze, - i tregonte kryekuzhinieri shtypit. - Unë jam në dijeni se Sarkazy nuk është fort i dhënë pas pijeve alkoolike, por nuk mund ti servir unë atij në tavolinë coca-cola apo birrë angleze”.

Meqë ra fjala për verën, duhet thënë, se Nicolas Sarkozy vërtet gëzon reputacionin e antialkoolistit. Gazetarët venë në dukje, se gjatë kohës së zhvillimit të samitit të “Tetëshes së Madhe” në vitin 2009 në Acqueville të Francës Presidenti francez i qëndroi besnik bindjeve të veta dhe nuk piu bile as shampanjë. Në publik Sarkozy zakonisht pi ujë mineral ose lëng portokalli. Bile dhe në dasmën e Nicolas Sarkozy dhe Carla Bruni-t, siç thonë, në vend të shampanjës tradicionale u servir lëng i freskët i saposhtrydhur portokalli.

Në qoftë se do të flasim mbi preferencat gastronomike, atëhere, siç thonë, Presidenti Sarkozy pëlqen tej mase makaronat (pasta) e mbushura me karçof, zhardhokë të zinj kërpudhash (truffes noires) dhe mëlçi pate të majmur - foie gras. Presidenti francez jo rrallëherë viziton restorantin që ndodhet vetëm 200 metra larg Pallatit Elysee (Palais de l'Elysée) në Paris. Kryekuzhinieri i atjeshëm Eric Frechon mori disa vite më parë 3 yjet maksimale nga Manuali i famshëm botëror “Michelin”. Kurse në vitin 2009 Sarkozy shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e vet ndaj meritave të kryekuzhinierit në sferën e artit të kuzhinës me anë të dekorimit të tij me Urdhërin e Legjionit të Nderit (l'Ordre de la Légion d'Honneur).

Dihet gjithashtu se Nicolas Sarkozy pëlqen jashtë mase çokollatën.