Ekspertët rusë dhe amerikanë dërguan në Kremlin dhe në Shtëpinë e Bardhë propozimet e përbashkëta për afrimin e pozitave të Moskës dhe Uashingtonit në ndërtimin e sistemit të mbrojtjes së përgjithshme evropiane antiraketë. Ata këshillojnë Moskën dhe Uashingtonin të fillojnë me integrimin gradual të sistemeve amerikane dhe ruse të paralajmërimit dhe vlerësimit të rreziqeve kërcënuese bërthamore, sqaroi Presidenti i Qendrës ruse të Studimeve Politike Vladimir Orllov: “ - Hapi i parë është integrimi i të dhënave ruse dhe amerikane të sistemeve të paralajmërimit dhe vlerësimit të rreziqeve kërcënuese bërthamore - përfshirë radarët dhe sensorët e tjerë - në një qendër të vetme të komanduarr bashkarisht nga NATO dhe Rusia. Hapi i dytë është integrimi i procesit të vendim-marrjes mbi lëshimin e raketave interceptuese. Në këtë mënyrë do të krijohet sistemi i përgjithshëm i mbrojtjes antiraketë, në të cilin potecialet antiraketore të NATO-s dhe Rusisë do të mund të plotësonin njëri-tjetrin”, - tha Vladimir Orllov.

Eksperti rus për problematikën e mbrojtjes antiraketë (MAR) Jevgeni Buzhinskij nga e vet kujton, se nga viti 2003 e deri në vitin 2008 në kuadër të Këshillit Rusi-NATO janë zhvilluar një sërë stërvitjesh mësimore kompjuterike në lidhje me çështjet e pajtueshmërisë së mjeteve të zbulimit dhe likuidimit me raketa interceptore. Ato demonstruan se sistemet janë të pajtueshme, se probleme teknike nuk ka. Por për vendosjen e një bashkëpunimi serioz duhet kaluar nga stërvitjet mësimore tek ndërveprimi real. Kjo destinohet të na bëjë ne në mos aleatë, partnerë të plotë pa diskutim. Ndërkohë duhet theksuar, se fillimi i krijimit të ombrellës së përbashkët antiraketë në Evropë do të bëhet i mundur vetëm pas dhënies së garancive ligjore mbi mosdrejtimin kundër Rusisë të elementeve amerikane të MAR që po dislokohen aktualisht në Evropë”, - shtoi Jevgeni Buzhinskij. “- Sigurisht, garanci të tilla duhen dhënë jo me fjalë. Amerikanët preferojnë të kufizohen pikërisht me deklarata, pa obligime reale. Ushtarakët tanë thonë: jo. Garancitë mund të shprehen me mosdislokimin e mjeteve interceptore në rajone të caktuara, ose këto duhet të jenë kufizime në karakteristikat teknike të interceptorëve, para së gjithash, shpejtësisë dhe largësisë së rrezes së fluturimit - apo kufizim i numrit të vetë interceptorëve”, - konkludon eksperti rus Jevgeni Buzhinskij.  

Kështu pra, ose MAR në Evropë do të krijohet së bashku me Rusinë, ose ajo do të krijohet për tu drejtuar kundër saj - alternativë të tretë nuk ka, shprehen me bindje të plotë specialistët. Është mëse evidente, se në kushtet e botës bashkëkohore armiqtë e mëparshëm potenciale duhet të bëhen medoemos aleatë. Rusisë dhe NATO-s i paraqitet tani shansi real për të hapur një faqe të re në historinë e marrëdhënieve të tyre. Dhe Uashingtoni e Brukseli nuk duhet ta humbasin kurrsesi atë.