Periudhën e drejtimit të mbretëreshës angleze Elizabeth I në gjysmën e dytë të shekullit XVI e quajnë ngandonjëherë “shekull të artë të Anglisë”. Dhe në këtë përcaktim, duhet thënë, nuk ka ndonjë hiperbolizim të madh. Periudhës së drejtimit në fronin monarkik të mbretëreshës nga dinastia e Tudors i ra lulëzimi i kulturës, i lidhur me emra të tillë të famshëm si William Shakespeare, Christopher Marlowe, Francis Bacon. Në momentin e ardhjes në fron Elizabeth i kishte mbushur të 25-at. Sipas kritereve të shekullit XVI, kur jetëgjatësia e shumë njerëzve nuk arrinte bile as kufirin 50 vjeçar, kjo moshë konsiderohej e pjekur, mjaft solide. Por të gjithë vinin në pah se mbretëresha dukej shumë më e re në krahasim me moshataret e saj. Dhe ky ishte, me sa duket, rezultat i natyrës së saj të përkorë, vetëpërmbajtjes në të ngrënë.

Gjatë gjithë sundimit të saj kohëgjatë Elizabeth I lëshoi jo pak dekrete, prej të cilëve 200 në këtë apo atë mënyrë kishin të bënin me ushqimin. Që në fillim të drejtimit të Elizabeth I u sanksionuan ligjet që ndalonin përdorimin e mishit gjatë kohës së Kreshmës së Madhe dhe të premteve. Në ditë të caktuara nënshtetasit e mbretëreshës Elizabeth duhej të hanin jo mish, por peshk. Shkelja e kësaj rregulloreje dënohej me 3 muaj burgim ose me gjobë prej 3 pounds (3 £). Dhe megjithëse ndalimi motivohej me pikëpamjet, konsideratat fetare, ai kishte një domethënie krejtësisht praktike: ligjet e miratuara faktikisht mbështesnin lundrimin detar dhe ndihmonin për gjallërimin e qyteteve bregdetare, gjë kjo që ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për ruajtjen dhe zhvillimin e flotës. Përveç kësaj ligjet e “peshkut” destinoheshin të kufizonin përdorimin e mishit të viçit, lopës dhe dashit në periudhën e dimrit. Vetë mbretëresha i përmbahej me rreptësi këtyre ligjeve.

Mëngjesi i “mbretëreshës-virgjëreshë” përbëhej nga buka, birra ose vera dhe një çorbë e mirë me mish gjedhi ose dashi.

Drekën e bollshme mbretëresha e hante në mesditë, kurse darkën në orën 17.00 të mbasdites. Elizabeth i pëlqenin më shumë gatimet e lehta, preferonte peshkun dhe mishin e shpendëve në vend të mishit të kuq. Për mbretëreshën piqnin apostafat bukë të bardhë me miell gruri, të cilin e kultivonin në Heston në Middlesex, meqenëse konsiderohej si “më i mirë ndër shumë qarqe (principata) të tjera”.  

Ushqimi mbretëreshës i servirej me enë e pjatanca argjendi ose ari. Elizabeth dhe njerëzit e oborrit mbretëror përdornin gjatë të ngrënit thikë, lugë dhe kruese dhëmbësh floriri. Kurse piruni, që ndërkohë u duk në Itali, në Angli nuk kishte hyrë ende në përdorim.

Zakonisht mbretëresha preferonte të hante në vetmi në dhomën e saj personale. Elizabeth nuk ishte njeri me ndonjë oreks për tu patur zili, vetëm në qoftë se fjalë nuk bëhej për ëmbëlsirat, të cilat mbretëresha i pëlqente jashtë mase.

0Ekziston miti sikur pikërisht mbretëresha Elizabeth I ishte e para në Angli që gatoi kulaçin e famshëm me vishnje.