Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së (FAO) përgatiti raportin, sipas të cilit, çdo vit në koshin e plehrave hidhen më shumë se 1 miliard tonë ushqime. Pikërisht një vëllim i tillë produktesh ushqimore do të mjaftonte për të ushqyer të gjithë njerëzit e uritur në botë. Në këtë raport vihet në dukje, se humbjet ndodhin për dy arsye. E para - mungesa e infrastrukturës së përshtatshme gjatë prodhimit dhe ruajtjes së ushqimit. Në radhë të parë kjo ka të bëjë me vendet e zhvilluara. Shkaku i dytë - sasia disproporcionalisht e madhe e mbeturinave ushqimore që prodhohen në vendet e zhvilluara. Si zgjidhje të këtij problemi specialistët e OKB-së propozojnë, para së gjithash, ndryshimin e shprehive ushqimore tek vendet e zhvilluara. Me këtë përqasje është plotësisht dakort Shefi i Departamentit të Marrëdhënieve Agrare të Institutit të Ekonomisë të Akademisë së Shkencave të Rusisë Boris Frumkin: “- Me të vërtetë, në vendet e zhvilluara, duke përfshirë edhe ato të BE, një pjesë e konsiderueshme e ushqimit ende të përdorshëm për ngrënie flaket në koshin e plehrave. Aktualisht në Bashkimin Evropian kanë filluar të merren masa rigoroze kursimi. Supozojmë se ai prodhim, i cili ishte përgatitur për shitjet aktuale në supermarkete dhe nuk u ble, shitet me çmime shumë më të ulëta ose u shpërndahet organizatave të bamirësisë. Domethënë njëfarë kursimi evidentohet tani me aplikimin e kësaj strategjie”, - thotë Boris Frumkin.

Mënyra e dytë për zgjidhjen e krizës ushqimore, që u propozua nga FAO, është përmirësimi i sistemit të furnizimeve të produkteve ushqimore nga vendet në zhvillim si dhe dhënia e ndihmës fermerëve vendas me qëllim që prodhimet e tyre ti shkojnë direkt blerësit. Në këtë mënyrë humbjet - nga prishja e produkteve gjatë ruajtjes së tyre jo ashtu siç duhet dhe transporti - mund të reduktohen në mënyrë të konsiderueshme.

Por vetëm me masat rregullatore nuk mund të ndreqet situata në mënyrë kardinale. Përveç kësaj është e domosdsohme që të vazhdojë dhënia e ndihmës financiare vendeve në zhvilim, thotë eksperti. “- Asnjë ekonomi në Perëndim nuk mund të prodhojë një sasi të tillë produktesh ushqimore që të jetë e mjaftueshme për të ushqyer gjithë popullsinë e Tokës, e cila po i afrohet tani shifrës 7 miliardë njerëz. Për zgjidhjen e këtij problemi nevojiten shumë vite dhe shumë miliarda dollarë. Në ditët tona ky problem mund të zgjidhet, për shembull, për llogari të rritjes së rezervave në vendet e zhvilluara. Duke i drejtuar në tregun botëror të ushqimeve ato e stabilizojnë atë”, - tha eksperti rus Boris Frumkin.

0Specialistët e FAO paralajmërojnë: kohë për mishërimin e të gjitha propozimeve në jetë ka mbetur shumë pak. Vonesa kërcënohet jo vetëm me urinë globale, por edhe me tronditje shumë më të mëdha. Sepse një nga arsyet e revolucioneve të tanishme në Afrikën e Veriut është rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, e cila u shkaktua prej  deficitit të tyre.