“Mendoj se e vetmja rrugëdalje reale është të lihen serbët në Serbi, kurse pjesa tjetër, në të cilën jetojnë shqiptarët, të ndahet. Ky do të jetë mekanizëm veprues aktual, i cili do të lejojë zgjidhjen e shpejtë të problemit. Variatet e tjera do të jenë, thjesht, humbje e kotë kohe, neve do të na duhen vite e dekada të tëra përpjekjesh për zgjidhjen e problemeve të vogla që lindin”, - deklaroi Kreu i MPB të Serbisë Ivica Daçiç (Ivica Dačić) në intervistën e vet dhënë gazetës kosovare “Zëri”. Gazetarët e pyetën Daçiç-in: nëse kihet vërtet parasysh në fjalët e tij supozimi i ndarjes së Kosovës? “I tillë është mendimi im, pavarësisht nga fakti se kjo gjë nuk do ti vijë për mide as Beogradit dhe as Prishtinës. Por unë jam politikan realist dhe nuk shikoj kurrfarë rrugëzgjidhje tjetër të problemit, - tha Ministri i Brendshëm serb. Njëkohësisht ai theksoi se dialogu, që filluan në pranverë në Bruksel Beogradi dhe Prishtina për zgjidhjen e problemeve të përditshme të qytetarëve, u bë një hop, arritje pozitive, por “është tejet e vështirë të gjenden rrugëdalje të tilla të cilat të kënaqin njëkohësisht edhe serbët, edhe shqiptarët”. “Në qoftë se kjo do të ishte kaq e lehtë, atëhere ne do të kishim arritur tani ndofarë rezultatesh konkrete”, - tha Daçiç.

Ndërkohë qeveria  e Serbisë u distancua nga deklaratat e Zëvendës kryeministrit dhe Kreut të MPB Ivica Daçiç (Ivica Dačić). Shefi i Zyrës së Qeverisë për Marrëdhëniet me Mediat Milivoe Mihailoviç tha për Radiostacionin B92, se deklarata e Daçiç duhet perceptuar si mendim i tij personal. “Qeveria e Serbisë nuk e ka vënë kurrë në rendin e ditës temën e ndarjes së Kosovës. Politika e qeverisë ndaj Kosovës dhe Metohisë mbetet e pandryshuar”, - deklaroi Milivoe Mihailoviç. Me një deklaratë të ngjashme doli edhe Koordinatori i Qeverisë së Serbisë për Marrëdhëniet me Publikun (PR) Slobodan Homen. Qeveria e Serbisë nuk është platformë për diskutimin e ndarjes së Kosovës, meqenëse kjo do të ishte atëhere shkelje e rezolutës parlamentare, vuri në dukje Homen. “Fillimisht këtë çështje duhet ta diskutojë parlamenti dhe vetëm pas kësaj qeveria, - shtoi zyrtari serb.