Shkarko audiofailin

Talibanët nisën të marrin hak për vrasjen e “Terroristit №1”. Lëvizja e talibanëve të Pakistanit “Tehrik-i-Taliban Pakistan” morri mbi vete përgjegjësinë për sulmin e dyfishtë terrorist që u krye të premten në mëngjes rreth 100 kilometra larg Islamabadit. Siç deklaroi  përfaqësuesi i kësaj lëvizjeje Ehsanullah Ehsan, ky është vetëm akti i parë i hakmarrjes për vdekjen e Osama bin Ladenit.

Dy shpërthime të fuqishme buçitën në veriperëndim të vendit në qytetin Charsadda, pranë qendrës së trajnimit të ushtarakëve. Si rezultat, gjetën vdekjen më tepër se 80 veta, disa dhjetra të tjerë u plagosën. Pothuajse të gjitha viktimat ishin rekrutë të ardhur për stërvitje ushtarake. Ky është incidenti më i përgjakshëm që nga koha e likuidimit fizik prej shërbimit special amerikan  të Kreut të “Al-Qaeda-s”. Këtë vlerësim të mediave pakistaneze e komentoi në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” veprimtari shoqëror indian, ish Ambasadori i Indisë në Pakistan Gopalaswami Parthasarathy: “- Natyrisht, vrasja e Osama bin Ladenit do të intensifikojë prirjet anti-amerikane në Pakistan dhe do të përforcojë qëndrimin negativ ndaj forcave të sigurimit të këtij vendi. Për më tepër se shumë besojnë, se ushtarakët i kanë mbështetur megjithatë amerikanët gjatë operacionit të likuidimit të Bin Ladenit, pavarësisht nga ekzistenca e versionit zyrtar mbi mungesën e çfarëdolloj lidhjeje apo bashkëveprimi midis tyre. Ky është një nga sulmet më të mëdha terroriste që mori kaq shumë jetë njerëzish”, - tha Gopalaswami Parthasarathy.

0“Prisni sulme më të fuqishme në Pakistan dhe Afganistan”, - paralajmëruan organizatorët e aktit të sotëm terrorist. Eksperti i Institutit rus të Orientalistikës Vjaçesllav Bellokrrinjickij nuk përjashton edhe mundësinë e asaj, se ai është faktikisht një ultimatum për autoritetet: “- Në Pakistan nuk pati kurrfarë lëvizjesh masive proteste kundër vrasjes së Bin Ladenit. Nuk mundën ti ngrenë në këmbë njerëzit e ti nxjerrin ata në rrugë bile as partitë fetare. Rrjedhimisht, si kundërpërgjigje e mundshme mbetej vetëm një. Ajo, për fat të keq, është tashmë fort e njohur dhe e provuar. Ky ishte reagim i pritshëm. Dhe raste të tilla mund të përsëriten. Por ato nuk janë në gjendje megjithatë të ndryshojnë gjendjen e përgjithshme as në Pakistan, as në Afganistan dhe as pozitat e palëve ndaj krizës që lindi pas eliminimit të Osama bin Ladenit”, - konkludon eksperti rus Vjaçesllav Bellokrrinjickij.